(07.01.2008 RV)Është zyrtarizuar sot marrëveshja ndërmjet Partisë Demokratike
të Kosovës të kryeministrit të ri Hashim Thaçi dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Qeveria e re e pas zgjedhjeve të 17 nëntorit do të ketë dy zëvendëskryeministra, njëri
i PDK-së, tjetri i LDK-së. PDK-ja do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave,
të Energjetikës dhe Minierave, të Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministrinë e
Punëve të Brendshme, atë të Arsimit, Bujqësisë dhe Ministrinë e Shërbimeve Publike.
LDK-ja do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, atë të Tregtisë dhe Industrisë, të
Shëndetësisë, të Kulturës dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal. Ministritë që do t’i takojnë
komunitetit serb janë Ministria e Kthimit dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale.
Komuniteti pakicë jo Serb do të ketë në dorë Ministrinë e Ambientit dhe të Planifikimit
Hapësinor. Ndërkaq, vonesat në krijimin e qeverisë së re të Kosoves patën sjellë
reagimin e kreut të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joakim Ryker, i cili
u kërkoi forcave politike që të shpallin qeverinë, brenda ditës së mërkurë. Për problemin
është interesuar edhe gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano”, e cila në numrin
e saj të djeshëm botoi një artikull mbi hapjen e punimeve të parlamentit të ri të
Prishtinës.