Dramat dhe shpresat e planetit në fillim të 2008-tës në audiencën e Benediktit XVI
me ambasadorët pranë Selisë së Shenjtë.
(07.01.2008 RV)Kriza në Afrikë,
mungesa e dhunshme e stabilitetit në Lindjen e Mesme, nga Palestina në Pakistan, së
cilës i shtohen edhe kërcënimet e djeshme kundër të krishterëve në Irak. Solidariteti
për vendet e tronditura nga katastrofat natyrore dhe mbrojtja e rrënjëve të krishtera
evropiane. Dëshira e botës për paqe dhe nevoja që vendet e ndryshme të punojnë bashkërisht
për të forcuar sigurinë. Ndërprerja e dënimit me vdekje dhe ftesa për diskutim publik
mbi karakterin e shenjtë të jetës. Me një fjalim, që sipas traditës përfshin aktualitetin
në të katër anët e Planetit: nga denoncimi i dramave, tek nënvizimi i shpresave për
hapat e para që janë bërë në vise të ndryshme – Benedikti XVI priti sot paradite ambasadorët
e 176 shteteve të akredituara pranë Selisë së Shenjtë, si dhe përfaqësuesit e organizmave
mbikombëtare, që bëjnë pjesë në Trupin Diplomatik, në audiencën e zakonshme të fillimit
të vitit, që u mbajt në Sallën Mbretërore të Pallatit Apostolik. Tetë faqe, nga
më të priturat ndërmjet fjalimeve vjetore të Papës – për të analizuar si jeton, vuan,
ndërton e shpreson bota e sotme. Tetë faqe për të pranuar me realizëm plot keqardhje
se, tetë vjet pas fillimit të vitit 2000, stabiliteti e siguria në botë mbeten të
paqëndrueshme. Por edhe për ta quajtur – me fjalë që të kujtojnë Enciklikën ‘Spe
salvi’ – ‘arti i shpresës’ - punën e kryer nga diplomacia, sepse ajo, sipas Papës,
jeton me shpresë dhe kërkon të dallojë deri shenjat më të zbehta të kësaj shprese.
Si hyri, pak pas orës 11.00, i pritur me duartrokitje nga ambasadorët e radhitur në
dy rreshta, në të dy anët e Sallës Mbretërore në Vatikan, Benedikti XVI dëgjoi,
së pari në këmbë, përshëndetjen e Gjovani Galasit, ambasador i Republikës së San Marinos
e dekan i Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Më pas, në shtatë
paragrafët e parë të fjalimit të tij, Benedikti XVI ‘fotografoi’ situatën në kontinentet
e ndryshme, duke e shoqëruar analizën me thirrjet, shqetësimet e urimet e tij.
Një
vend të rëndësishëm ndërmjet ngjarjeve të dhimbshme të kronikës aktuale ndërkombëtare,
zunë lajmet që vijnë nga Iraku. Pas autobombave të hedhura dje kundër disa kishave
të Bagdadit e të Mosulit, Papa u shpreh kështu: “Actuellement, les
attentats terroristes, les menaces et les violences continuent…” “Aktualisht
atentatet terroriste, kërcënimet e dhuna vijojnë, në mënyrë të veçantë kundër bashkësisë
së krishterë, e lajmet që morëm dje e vërtetojë shqetësimin tonë: është e qartë se
duhet zgjidhur lëmshi i ngatërruar i disa çështjeve politike. Në një kuadër të tillë,
të drejtat e pakicave mund të mbrohen vetëm përmes një reforme kushtetuese të përshatshme”.
Në se atentatet e djeshme na kujtojnë një realitet, të cilin më pas Benedikti
XVI do ta dënojë, duke folur për lirinë fetare, shpesh të rrezikuar në të katër anët
e botës, fjala ‘pajtim’, e hedhur poshtë në shumë aspekte të saj, ishte në qendër
të vëmendjes pothuajse në të gjitha vërejtjet e Papës, e jo vetëm për Irakun. Nga
skena e ndërlikuar e Lindjes së Mesme, Benedikti XVI kujtoi sidomos e përsëri, konfliktin
izraelito-palestinez, me të cilin u mor pak kohë më parë Konferenca e Anapolis: “Je
fais appel, une fois encore, aux Israeliens et aux Palestiniens…” “U
bëj përsëri thirrje izraelitëve e palestinezëve t’i përqendrojnë energjitë e tyre
për vënien në jetë të zotimeve të marra me këtë rast e të mos e ndërpresin procesin
që ka nisur të përparojë me sukses. Ftoj edhe bashkësinë ndërkombëtare t’i ndihmojë
këta dy popuj me bindje e mirëkuptim për vuajtjet dhe frikën e të dyja palëve”.
E
gjithnjë me sytë nga Lindja e Mesme dhe e Largët, Papa kërkoi pajtim e dialog edhe
për Libanin e Pakistanin, që është goditur rëndë nga dhuna e muajve të fundit. Për
Afganistanin Benedikti XVI kërkoi të marrë fund dhuna, së cilës i shtohen probleme
të tjera të rënda shoqërore, siç është prodhimi i drogës. Për Sri Lankën e Mianmarin
vërejti se duhen sheshuar kontrastet e duhet të fillojë stina e ballafaqimit, e bazuar
mbi respektin e të drejtave të njeriut. Duhet kujtuar se hapjen e fjalimit, Papa
ia kushtoi Amerikës Latine. Dhjetë vjet më parë, Gjon Pali II ishte në Kubë e këtë
ngjarje të madhe – që Havana përgatitet ta përkujtojë - Benedikti XVI e theksoi
si lajtmotiv shprese për mbarë kontinentin, duke mos harruar, megjithatë edhe tragjeditë
natyrore që e kanë goditur disa herë gjatë vitit 2007: që nga Meksika, në Amerikën
Qëndrore e në Perú.
Paragrafin VI Ati i Shenjtë ia kushtoi Afrikës. Të fuqishme
fjalët me të cilat Ati i Shenjtë kujtoi vuajtjet e tmerrshme të Darfurit, ku shpresa
duket si e shpartalluar nga uria e nga vdekja. Pasi u ndal tek ushtrimi i dhunës në
Somali, tek procesi i paqes në Repubikën Demokratike të Kongos dhe tek lajmet thellësisht
shqetësuese, që vijonë të arrijnë nga Kenia, Papa bëri këtë thirrje: “…j’
invite tous les habitants, en particulier les responsables politiques,…” “I
ftoj të gjithë banorët, e në mënyrë të posçame udhëheqësit politikë, të kërkojnë përmes
dialogut, një zgjidhje paqësore, të bazuar mbi drejtësinë e vëllazërimin. Kisha katolike
nuk mund t’i dëgjojë me indiferencë gjëmët që ngrihen nga kjo zonë, ku ka tepër dhimbje.
Ajo i bën të vetat thirrjet për ndihmë të refugjatëve e të të shpërngulurve dhe impenjohet
të favorizojë pajtimin, drejtësinë e paqen”. Në Afrikën e 2008-tës bën pjesë
edhe Etiopia, që kremton sivjet mijëvjeçarin e tretë të krishterë – kujtoi së fundi
Papa, për ta drejtuar, më pas, vështrimin në Evropë, duke kërkuar më shumë vëmendje
për krizën në Qipro, por sidomos, për rishkrimin e parimeve komunitare të Traktatit
të Lisbonës, nga i cili Benedikti XVI pret më shumë respekt për trashëgiminë e Ungjillit. Duke
përfunduar me Evropën, Shenjtëria e Tij shprehu kënaqësinë për progresin që është
bërë në vende të ndryshme të Ballkanit dhe uroi përsëri që statusi përfundimtar i
Kosovës t’i marrë parasysh kërkesat e drejta të palëve e të garantojë sigurinë dhe
respektin e të drejtave të atyre që banojnë në këto troje, me qëllim që të largohet
përfundimisht fantazma e ndeshjes së dhunshme dhe të fuqizohet stabiliteti evropian.
“Cette étape relance le processus de construction de la “maison Europe”…” “Kjo
etapë nxjerr përsëri në plan të parë procesin e ndërtimit të ‘shtëpisë Evropë” që
do të jetë e këndshme për të gjithë, vetëm në se do të ndërtohet mbi bazat e shëndosha
kulturore e morale të vlerave të përbashkëta, të trashëguara nga historia jonë e
nga traditat tona e në se ajo nuk do t’i mohojë rrënjët e veta të krishtera”. Në
përfundim të shtegtimit të tij rrotull botës, Benedikti XVI reflektoi për vlerat absolute
të paqes, të lirisë e të drejtësisë: “… l’ordre et
le droit en sont des éléments qui la garantissent…” “Elementet që i
garantojnë janë rendi dhe e drejta. Por e drejta mund të jetë forcë e frytshme për
sigurimin e paqes, vetëm në se bazat e saj janë rrënjosur thellë në të drejtën natyrore,
të dhënë nga Krijuesi. E edhe për këtë arsye, Zoti nuk do të mund të shlyhet kurrë
nga horizonti i njeriut e i historisë. Emri i Zotit është emër drejtësie: Ai përfaqëson
një thirrje të fuqishme për paqe”. Në këtë këndvështrim, dialogu ndërkulturor
e ndërfetar japin ndihmesën e tyre të vyer për edukimin me frymën e respektit reciprok
e të mirëkuptimit, siç e dëshmon shkëmbimi aq i vefshëm i Letrave me 138 liderët myslimanë.
Megjithatë, vërejti Papa: “Pour etre vrai, ce dialogue doit etre
clair, evitant relativisme et syncrétisme…” “Për të qenë i vërtetë,
ky dialog duhet të jetë i qartë, të shmangë relativizmin e sinkretizmin, të frymëzohet
nga respekti i sinqertë për të tjerët e nga shpirti i pajtimit e i vëllazërimit”. Kisha-
vijoi Benedikti XVI – nuk harron kurrë se çdo vlerë ose e drejtë ka në qendër njeriun
me dinjitetin e tij të patjetërsueshëm. E prej këndej, edhe shenjtërinë e jetës së
tij, e cila tepër shpesh – denoncoi Papa – sulmohet para e pas lindjes. “Je
voudrais rappeler, avec tant de chercheurs et de scientifiques…” “Dëshiroj
të kujtoj, së bashku me shumë shkencëtarë e bashkëpunëtorë shkencorë, se kufijtë e
rinj të bioetikës nuk e detyrojnë askënd të zgjedhë ndërmjet moralit e shkencës. Nga
ana tjetër(…) shpreh kënaqësinë që më 18 dhjetorin e kaluar, Asambleja e Përgjithshme
e Kombeve të Bashkuara, adoptoi rezolutën për ndërprerjen e dënimit me vdekje dhe
uroj që një nismë e tillë, të nxitë diskutimin publik mbi karakterin e shenjtë të
jetës njerëzore”. E duke kërkuar, si gjithnjë në rrethana të tilla, mbrojtjen
e integritetit të familjes së bazuar mbi martesën, Papa i nxiti vendet e pasura t’i
ndihmojnë më pak të kamurat për shfrytëzimin e barabartë të burimeve natyrore e, posaçërisht,
të bashkëpunojnë për sigurinë në botë, gjë që – vijoi Ati i Shenjtë – do të pengonte
hyrjen e terroristëve dhe të armëve të shkatërrimit në masë e do të fuqizonte, pa
asnjë dyshim, veprimtarinë për mospërhapjen e armëve bërthamore. E në se pak më përpara
kishte kërkuar impenjimin diplomatik pa ndërprerje për zgjidhjen e çështjes bërthamore,
ende të papërfunduar, iraniane, Papa shprehu kënaqësinë për programin e çarmatimit
bërthamor të Koresë së Veriut dhe inkurajoi të gjitha përpjekjet për kufizimin e armatimeve
të tipit klasik e për përballimin e problemit humanitar, që ka të bëjë me armatimet
me fragmentim.Në fund Papa e quajti diplomacinë ‘art i shpresës’, që nuk lodhet kurrë
së kërkuari edhe mundësitë më të zbehta të dialogut: “La diplomatie
doit donner de l’espérance. La celebration de Noël vient chaque…” “Diplomacia
duhet të japë shpresë. Kremtimi i Krishtlindjes vjen çdo vit për të na kujtuar se,
kur Hyji u bë fëmijë i vogël, Shpresa erdhi të banojë në botë, në zemër të familjes
njerëzore. Kjo siguri sot bëhet lutje, që Zoti t’ia hapë zemrën qeveritarëve të familjes
së popujve, për ta pranuar Shpresën, që nuk të zhgënjen kurrë”.