2008-01-05 17:36:24

Thirrje e Benediktit XVI që t’i jepet fund luftërave vëllavrasëse në Kenia.


(05.01.2008 RV)Në një letër, nënshkruar nga Kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, drejtuar kryetarit të Konferencës ipeshkvnore të Kenias, kardinalit Xhon Njue, Papa lutet për viktimat e dhunës dhe i fton keniotët të ecin në rrugën e pajtimit. Në vijim, Ati i Shenjtë u shpreh afërsinë dhe solidaritetin ipeshkvijve dhe gjithë banorëve të vendit afrikan, që këto ditë vijon të tronditet nga dhuna dhe nga ndeshjet e armatosura, pas konfirmimit të presidentit Kibaki.
Papa – lexohet në letër – ndjen keqardhje të thellë për viktimat e këtyre çrregullimeve, për njerëzit e shumtë, që humbën jetën, shpesh në mënyrë mizore, dhe familjarët që i qajnë, për të plagosurit dhe ata që kanë humbur gjithçka kishin, ose janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre si dhe për ata që kërcënohen e jetojnë me frikë në zemër.Por Benedikti XVI nuk e humbet shpresën – vijon teksti – se ky komb i dashur, që ka njohur kohë paqeje shoqërore e zhvillimi, duke u bërë element stabiliteti në mbarë zonën e tronditur nga konfliktet, do të largohet sa më shpejt nga fantazma e konfliktit etnik, që ka shkaktuar e vijon të shkaktojë akoma aq të këqija në disa pjesë të Kontinentit afrikan.
Së fundi Papa u drejtohet politikanëve, përgjegjës për të mirën e përbashkët, duke u kërkuar të zgjedhin me vendosmëri rrugën e paqes e të drejtësisë, sepse vendi ka nevojë pikërisht për një paqe të bazuar mbi drejtësinë e vëllazërinë, e prej këndej, duhet t’i kapërcejë vështirësitë e sotme, duke ecur në rrugën e dialogut e të ballafaqimit demokratik.







All the contents on this site are copyrighted ©.