2008-01-04 18:33:53

Kardinali Peter Erdë, kryetar i Konferencave episkopale evropiane: 2008-ta do të jetë vit i takimeve të mëdha ekumenike e ndërfetare.


(04.01.2008 RV)RealAudioMP3 Javët e kaluara bilançi i 2007-tës u vlerësua më se një herë nga specialistët si një nga bilançet më të frytshme në këndvështrimin e dialogut ekumenik e ndërfetar. Me sa duket nga impenjimet e agjendës së Këshillit të konferencave ipeshkvnore evropiane (CCEE), 2008-ta do t’i çojë më tej sukseset e arritura. Në muajin shkurt do të organizohet në Londër, takimi i organizmit të ipeshkvijve evropianë dhe i Këshillit të kishave evropiane (KEK), që përfshin bashkësi të ndryshme protestante e ortodokse të Kontinentit të vjetër. Një miting tjetër, me karakter zonal, është në program në Sofie të Bullgarisë, ndërsa në prillin e ardhshëm, në Hungari, do të mbahet takimi tematik i të krishterëve dhe i myslimanëve. E gjithnjë Hungaria, në fund të vitit, do të jetë teatër i një takimi ndërkombëtar ndërmjet katolikëve e hebrenjve. Ndërkaq 2007-ta u mbyll me jehonën e jashtëzakonshme të Letrës së dytë dërguar Papës nga 138 liderët myslimanë. Ishte një gjest me rëndësi të madhe, siç pohon kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Budapestit, në mikrofonin e programit hungarez të Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Si Letra, ashtu edhe mirëpritja e Atit të Shenjtë, sipas meje, ndikon në mënyrë shumë pozitive mbi këtë dialog. Dialog premtues, pavarësisht nga rrethanat e vështira që vërejmë kudo në botë, e gjithnjë inkurajues, kur teologët kërkojnë të vërtetën e fesë së tyre, kërkojnë dialogun e sinqertë e paqësor me ata që praktikojnë një fe tjetër, gjithashtu me bindje të sinqerta.

Pyetje: - Hirësi, ç’mendoni lidhur me mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Paqes 2008, që flet për familjen njerëzore si bashkësi e paqes? Cili ju duket mësimi më i rëndësishëm?

Përgjigje: - Sigurisht theksi i vënë mbi familjen është për ne pasuria më interesante e kësaj letre madhështore, sepse në këtë letër familja vihet me forcë në dukje, si njësi natyrore themelore për të gjitha shoqëritë njerëzore. Edhe për njerëzimin përdorim shpesh shprehjen ‘familja njerëzore, e jo rastësisht: familja është bashkësi, në gjirin e së cilës mund të jetojmë, ta shikojmë drejtpërdrejtë, ndërsa mbarë njerëzimi, në një farë mënyre, na duket diçka abstrakte. Duhet të kemi provuar jetesën në një familje të mirë, për të pasur, pastaj, mundësinë të jetojmë si vëllezër edhe në gjirin e familjes njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.