2008-01-03 18:24:26

U rihap në Betlehem Televizioni i krishterë ‘al Mahed’, pas thirrjes së bërë nga mikrofonët e Radio Vatikanit për kapërcimin e vështirësive ekonomike.


(03.01.2008 RV)E detyruar të heshtë për shkak të borxheve, emitentja ‘al Mahed’ – ‘Lindja e Krishtit’, i vetmi televizion i krishterë në Tokën Shenjte, rifilloi transmetimet. Stacioni televiziv privat, që ndodhet vetëm pak kilometra larg Bazilikës së Lindjes së Krishtit në Betlehem, i nisi transmetimet në vitin 1996 me nismën e sipërmarrësit greko-ortodoks Samir Kumsieh, themelues e drejtor i ‘al Mahed’që prej 11 vjetësh. Tv-ja jep programe të larmishme, kryesisht për të krishterët, por nuk mungojnë edhe programet për myslimanët, si dhe transmetimet për të gjithë teleshikuesit, që janë rreth 1 milion. Pavarësisht nga numri i kënaqshëm i shikuesve dhe cilësia e programeve, muajin e kaluar emitentja kishte hyrë në një borxh prej 63 mijë dollarësh. Prej këndej, thirrja e drejtorit Kumsieh përmes mikrofonëve tanë, më 1 nëntorin e kaluar, për të shmangur rrezikun e mbylljes përfundimtare, një fatkeqësi e vërtetë – siç u shpreh Kumsieh - për mbijetesën e të krishterëve në Tokën Shenjte, duke saktësuar se vetëm në Betlehem, ku përbënin 85% të popullsisë, janë katandisur në më pak se 20%. Kësaj thirrjeje iu përgjigj menjëherë shoqata italiane e Shën Donatit milanez “Bashkëqytetarë të Tokës Shenjte e veprimtarë të paqes”, që mblodhi ndihma për Tv-në ‘al Mahed’. Këtyre ndihmave iu shtua edhe kontributi prej 15 mijë euro i Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Kështu, jo vetëm që transmetimet rifilluan, por u tërhoq edhe vëmendja mbi një realitet të rëndësishëm mediatik për të krishterët e Tokës Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.