2008-01-03 18:23:21

Në kujtim të Nënë Terezës, vizita e parë e Benediktit XVI për vitin 2008-të: nesër Papa do të shkojë në Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’ në Vatikan.


(03.01.2008 RV)RealAudioMP3 Një fillimviti kushtuar njerëzve më nevojtarë dhe atyre që i ndihmojnë bujarisht e me dashuri: Benedikti XVI do të shkojë nesër në orën 11. 00 në Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’ në Vatikan, e cila u është besuar Misionareve të Bamirësisë, motrave të së Lumes Nënë Terezë. Vizita e Papës ka një kuptim të posaçëm: na kujton se këtë vit shtëpia, e themeluar nga Nënë Tereza me ndihmën e Gjon Palit II, kremton 20 vjetorin e ditës kur ia hapi për herë të parë portat të varfërve e të braktisurave nga të katër anët e botës. Kjo portë e thjeshtë, përskaj Vatikanit, njihet mirë nga shumë shqiptarë. Aty, ndërmjet radhëve të gjata të nevojtarëve që presin ndihmë, mund të dëgjosh çdo ditë të flitet shqip. Eprorja e kësaj shtëpie me emrin simbolik ‘Dhurata e Marisë’, motra Mark Pustani, tregon sot në mikrofonin e Radios sonë, me ç’ ndjenja pritet Ati i Shenjtë:
 Përgjigje: - Me gëzim e mirënjohje që Ati i Shenjtë vjen mes nesh, në shtëpinë tonë. Është nder i madh për ne ta kemi Papën këtu.
Pyetje: - Cilat janë veprimtaritë që zhvilloni në Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’? A mund të na përshkruani një ditë tipike në këtë ndërtesë brenda Vatikanit?
Përgjigje: - Ne jemi bashkësi rregulltaresh e puna jonë e parë është lutja. Tani për tani jemi tetë motra. E fillojmë ditën me lutje e, në orën 8. 00, mbledhim frytet e kësaj lutjeje, dmth fillojmë punën me të varfërit. Kemi këtu një shtëpi pritjeje për gratë pa strehë. Mund të strehojmë deri në 74 gra, ndërsa tani që po flas, kemi rreth 50. Kemi edhe një mensë për burra, që vijnë për të ngrënë në mbrëmje. Përpiqemi t’u japim jo vetëm bukën e korpit, por edhe atë të shpirtit, duke ndarë me ta çdo ditë kafshatën e gojës e Fjalën e Zotit. Në mbrëmje ka shumë punë në mensë, sepse gratë vijnë të gjitha për të ngrënë. Nuk rrijmë vetëm në shtëpi, por dalim edhe përjashta Vatikanit. Kur të varfërit nuk vijnë tek ne, shkojmë ne t’i kërkojmë, atje ku janë, në rrugë, në spitale, në vetminë e shtëpive të tyre. Të gjithëve përpiqemi t’u japim jo vetëm ushqimin fizik, por edhe Fjalën e Zotit.
Pyetje: - Shtëpia ‘Dhurata e Marisë’, që lindi me dëshirën e Nënë Terezës e të Gjon Palit II, sivjet, dmth në 2008-tën, mbush 20 vjet…
Përgjigje: - Nëna jonë që më 1970 shprehu dëshirën t’i mblidhte një ditë të varfërit në zemër të Kishës. Ishte dëshirë e madhe. E Ati i Shenjtë, pasi vizitoi shtëpitë tona në Kalkutë, në vitin 1986, ia plotësoi këtë dëshirë. ‘Dhurata e Marisë’ është fryt i takimit të këtyre dy dëshirave : të Nënës sonë Terezë e të Atit të Shenjtë, Gjon Palit II.

Në Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’ përveç Misionareve të Bamirësisë, të varfërit asistohen edhe nga një grup vullnetarësh. Një prej tyre, Angjela Vinjola, anëtare e Shoqatës së Shenjtorëve Pjetër e Pal, tregon, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Së pari unë rri tek porta, me detyrën e pritjes të të varfërve, por bëjmë pak nga të gjitha, shpërndajmë edhe veshje, panine…
Pyetje: - Kush janë këta të varfër që priten në Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’?
Përgjigje: - Për të fjetur tek ne vijnë gra pa strehë, vijnë nga vende të ndryshme, posaçërisht nga Rumania e nga Shqipëria. Vijnë këtu në Romë për të gjetur vende pune e gjejnë mbështeje pikërisht në shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’. Rrijnë këtu 15, 20 ditë, gjatë të cilave kërkojnë punë e pastaj shkojnë të punojnë.
Pyetje: - Përveç veprimtarive të pritjes a organizoni edhe çaste të përbashkëta lutjeje?
Përgjigje – Po. Për natë, para ngrënies, lexohet Ungjilli i ditës e pastaj edhe shpjegohet. E lexon një nga vullnetarët ose ndonjë meshtar, që atë ças është i pranishën në shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’.







All the contents on this site are copyrighted ©.