2008-01-03 18:03:49

Në Kenia opozita shtyn protestën


(03.01.2008 RV)RealAudioMP3 Vazhdon të jetë e vështirë gjendja në Kenia, pavarësisht se duket ndonjë spirale shprese. Manifestimi i opozitës kundër zgjedhjes së presidentit Kibaki, i paautorizuar nga qeveria, është shtyrë për datën 8 janar. Duket se së shpejti do të verifikohen gjithashtu votat. Por edhe sot ka pasur ndeshje ndërmjet policisë dhe përkrahësve të opozitës. Së paku katër vetë kanë gjetur vdekjen duke e rritur kështu në rreth 340 numrin e viktimave. Në këtë skenar të vështirë vazhdojnë përpjekjet për pajtim të diplomacisë ndërkombëtare dhe të liderëve fetarë. Ndër ta, Çmimi Nobel për paqe, kryeipeshkvi anglikan Desmond Tutu ka zhvilluar një seri takimesh për të gjetur rrugën e paqes ndërmjet fraksioneve. Siç thekson kisha, problemi nuk është aq etnik sesa ekonomik, megjithëse presidenti dhe lideri i opozitës janë të etnive të ndryshme. Sistemi politik në fuqi e detyron një pjesë të madhe të popullsisë të jetojë nën pragun e varfërisë. Shqetësimi i Kishës për situatën konfirmohet në mikrofonin tonë edhe nga Nunci Apostolik në Kenia, kryeipeshkvi Alen Pol Lebopën:
Shqetësimi ynë është të shkojmë përpara në rrugën e bashkëjetesës ndërmjet bashkësive etnike që jetojnë në Kenia e të gjejmë kushtet për pajtimin e ardhshëm. Kisha është shumë e shqetësuar për gjendjen e personave që jetojnë në pjesën perëndimore të vendit. Në misionet e kishës arrijnë edhe 2 mijë – 3 mijë vetë. Ipeshkvijtë kanë bërë thirrje për solidaritet, pasi njerëzit jo vetëm kanë braktisur shtëpitë, por kanë humbur çdo gjë.
Cilët janë personat që kanë kryer masakrat e ushtrojnë dhunë?
Ajo që na shqetëson është se shpesh gjithçka kryhet nga të rinjtë. Nairobi, ku kemi lagjet më të varfëra të krejt Afrikës, është plot me të rinj. Janë pa punë e shpesh të paarësimuar. Është një problem afatgjatë me të cilin duhet të përballet shoqëria e Kenias. Këta të rinj shpesh ndjejnë se s’kanë të ardhme, pra problemi është shoqëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.