Martiri dom Luigj Prendushi në 112-vjetorin e ditëlindjes.
(03.01.2008 RV)Dita e sotme na rikujton një ngjarje të madhe: Vizitën e kardinalit
Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve në Shqipëri nga
6 deri më 11 nëntor 2002. Gjatë kësaj vizite, në katedralen e Shkodrës u hap procesi
i beatifikimit e i kanonizimit për 40 martirë të kishës katolike shqiptare, kryesisht
viktima të komunizmit, shqiptarë e misionarë të huaj që janë ikonë e gjallë e Kishës
Universale. Njëri nga të dyzetët, që flijuan jetën për Krishtin është Dom Luigj
Prendushi, të cilin po e kujtojmë sot në 112 vjetorin e lindjes.
Dom
Luigji lindi në Shkodër më 3 janar 1896. Si kreu shkollën fillore në vendlindje, nga
viti 1908 deri më 1921 studioi në Piemont (Itali), në Kolegjën Skarnafizi e Sarvano.
Po në këtë krahinë, në veri të Italisë, u shugurua meshtar, për t'u kthyer menjëherë
në Atdhe e për të filluar shërbimin meshtarak. Nisi të predikojë Krishtin në malet
e ashpra të Mazrekut, për të zbritur në Nënshat e më pas për t'iu ngjitur rishtas
maleve, në zonën tejet të vështirë të Shllakut. Ravgoi më pas nga Dardha e Pukës,
në Koman, Dush e së fundi, deri më 1946, në Kaçë-Naraç e Shelqet. U arrestua më
5 dhjetor 1946, në valën e martirizimit të Kishës katolike, me akuzën spijun i Vatikanit.
U dënua me vdekje dhe u pushkatua në një vend të shkretë më 24 janar 1947. Eshtrat
e tij u gjetën vetëm pas 45 vjetësh, u sollën në qytetin e lindjes e u rivarrosen
në Rrëmaj, pranë eshtrave të familjarëve të vdekur, në maj të vitit 1992.Ka shumë
mundësi që ai varr gati-gati i panjohur, mes qindra varresh në varrezën e lashtë,
nën selvitë e Rrëmajit, në Shkodër, të bëhet cak shtegtimesh fetare, lutjesh e ndërmjetësie,
monument feje e ngushëllimi për Shkodrën e Shqipërinë.