2008-01-02 18:39:25

Tension i lartë në Kenia: gati 300 viktima në përleshje.


(02.01.2008 RV)Akoma e rëndë gjendja në Kenia, pas zgjedhjeve presidenciale të 27 dhjetorit, të shoqëruara me ndeshje ndërmjet etnive, që shkaktuan vdekjen e rreth 275 vetëve. Jo më larg se dje, në një kishë të Kiambosë u dogjën të gjallë mbi 50 vetë, të gjithë të etnisë së presidentit, i cili ka shpallur se ka fituar zgjedhjet dhe ka akuzuar liderin e opozitës për spastrim etnik.
Ndërkaq, ipeshkvijtë e vendit bëjnë thirrje për paqe dhe pajtim dhe vënë në dukje gjendjen e keqe humanitare të Kenias, sidomos në zonat ku banojnë të krishterët. Famullitë – denoncon zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore Keniote – janë plot me njerëz që janë strehuar aty me shpresën se do të shpëtojnë nga raprezaljet. Por mungon ushqimi, uji, ilaçet. Gjendja është shumë e vështirë. Ipeshkvijtë u kanë kërkuar përfaqësuesve të Bashkimit Afrikan të ndërmjetësojnë për pajtimin mes palëve.
E pikërisht sot, Bashkimi Afrikan ndërhyn, me anë të kreut të vet, presidentit të Ganës, i cili ndodhet në Nairobi për të ulur palët në tryezën e bisedimeve.

Pakistani shtyn zgjedhjet legjislative të parashikuara për 8 janar. Pas gjendjes së krijuar nga vrasja e Benazir Butos, votimet do të zhvillohen më 18 shkurt. Presidenti Musharraf është treguar gjithashtu i gatshëm të pranojë ndihma nga jashtë në hetimet për vdekjen e kryetares së opozitës. Lajmi u dha menjëherë pas takimit të vetë presidentit pakistanez me ministrin e jashtëm francez, Bernard Kushner. 112 mijë euro ofrohen nga qeveria për të gjithë ata që japin informacione të vlefshme për hetimet.

Siria vendosi ta pezullojë bashkëpunimin me Francën, për zgjidhjen e krizës institucionale në Liban, që e ka lënë vendin pa president, me parlamentin që shtyn vazhdimisht seancat e votimit. Të dielën e kaluar, presidenti francez Sarkozì pati deklaruar se Parisi do të ndërpresë kontaktet me Damaskun, derisa të mos shihen qartë provat, që tregojnë vullnetin e sirianëve për ta lënë të lirë Libanin të zgjedhë presidentin. Siria deklaroi se është e habitur nga qëndrimi i Sarkozìsë, pasi përpjekjet siriane për zgjidhjen e krizës libaneze njihen mirë nga Franca, saktësoi një zëdhënës i qeverisë.

Uzbekistani ka shfuqizuar dje dënimin me vdekje. Është konfirmimi i një ndryshimi radikal, drejt një drejtësie pa vdekje, pas miratimit të rezolutës për pezullimin universal të dënimit me vdekje nga ana e Kombeve të Bashkuara.

Në një situatë të vështirë, kur akoma vazhdon dhuna në Rripin e Gazës dhe kur shpresohet të përfundojë së shpejti odiseja e rreth 2000 shtegtarëve palestinezë që patën probleme për t’u kthyer në Gazë nga Meka, për arësye diplomatike, një iniciativë e rëndësishme merret për Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan Xhorxh Bush, lideri izraelit Ehud Olmert dhe kreu palestinez Abu Mazen mund të mblidhen javën që vjen në Jeruzalem, duke shfrytëzuar rastin e vizitës së parë të presidentit Bush në Izrael dhe në Territoret palestineze. Mbledhja duhet t’i japë një impuls të ri procesit të paqes filluar në Konferencën e Anapolisit.







All the contents on this site are copyrighted ©.