2008-01-02 18:57:54

Në audiencën e parë të përgjithshme të vitit, Papa foli për Marinë “Nënën e Zotit’, së cilës ia besoi fillimin e vitit 2008: “Na priftë në udhët e së mirës”.


(02.01.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, në audiencën e parë të përgjithshme të vitit 2008, Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin “Marisë, Nënës së Tënzot” – titull me të cilin Kisha i lutet Zojës së Bekuar në ditën e parë të vitit. Papa foli në Sallën e Palit VI në Vatikan, para shtatë mijë besimtarëve e shtegtarëve, duke zhvilluar një reflektim marian me karakter sa historik, aq fetar. Ati i Shenjtë ia besoi Zojës së Bekuar vitin e ri që sapo filloi dhe iu lut të na ndihmojë për të ecur më shpejt në rrugët e së mirës”.
“Zoja e Papërlyer”, “Zoja e ngjitur në qiell”, “Nëna e Kishës”. Nga të gjithë titujt që kujtohen, kur besimtarët i luten Zojës, njëri është titulli i parë, më i lashti që njeh Kisha: Maria si Theotokos, dmth “Nëna e Tënzot”. Që nga shekulli i tretë– kujtoi Benedikti XVI – të krishterët filluan të ushqejnë një devocion të thellë ndaj Asaj, që dhuroi vetveten për misterin e Mishërimit. Devocioni lidhet ngushtë me diskutimet që u ndezën në atë kohë rreth vetjes së Krishtit. Përmes titullit Theotokos - shpjegoi Papa - pranohej se ‘Krishti është Zot e se ka lindur vërtetë si njeri nga Maria’, duke ruajtur kështu unitetin si Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë’. E vërtetë kjo që më pas u përforcua solemnisht në Konçilin e Efezit të vitit 431:
“Titulli i Nënës së Zotit, që lidhet kaq ngushtë me festimet e Krishtlindjes, është titulli kryesor me të cilin bashkësia e besimtarëve e ka nderuar gjithnjë Virgjërën Mari. Ai e shpreh më së miri misionin e Marisë në historinë e shëlbimit. Të gjithë tituj e tjerë që i jepen Zojës së Bekuar bazohen tek thirrja e Saj për të qenë Nënë e Shëlbuesit, krijesa njerëzore e zgjedhur nga Hyji për realizimin e planit të shëlbimit, përqendruar tek misteri i mishërimit të Fjalës hyjnore”.
Devocioni i popullit të krishterë – vijoi Benedikti XVI – i ka parë gjithnjë lindjen e Jezusit dhe amësinë hyjnore të Marisë si dy aspekte të të njëjtit mister të Mishërimit të Fjalës hyjnore.
“E prandaj nuk e konsideron kurrë Lindjen e Krishtit si një gjë që i përket së kaluarës. Ne jemi ‘bashkëkohës” të barinjve, të Mbretërve dijetarë, të Simeonit e të Anës, e ndërsa ecim përkrah tyre, jemi plot gëzim, sepse Hyji deshi të ishte Zoti-me –ne e sepse Ai ka një Nënë, që është edhe Nëna jonë”.
Titulli ‘Nëna e Zotit’ ishte privilegji i parë që iu bë Zojës së Bekuar, e cila kohë pas kohe u njoh si e papërlyer nga mëkati origjinal që në çastin e lindjes e prej këndej, edhe e ruajtur nga kalbja e korpit në çastin e vdekjes. Në vitin 1964, gjatë Koncilit II të Vatikanit, Pali VI i dha Virgjërës Mari edhe titullin “Nëna e Kishës”- cilësi kjo që – komentoi ëmbëlsisht Benedikti XVI - e afron Zojën e Bekuar pranë zemrës së secilit nga ne.
“E dimë se të gjitha këto privilegje nuk iu dhanë për ta larguar Marinë nga ne, përkundrazi, për ta bërë edhe më të afërt; duke qenë plotësisht me Zotin, kjo Grua është edhe tepër afër nesh e na ndihmon si nënë e si motër”.
Audienca, të cilën Benedikti XVI e hapi me bekimin e bukur e të lashtë, shkëputur nga ‘Libri i numrave’ – “Zoti të bekoftë e të ruajtë! Të ndriçoftë me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë fytyrën e vet nga ti e të dhëntë paqen!” – u mbyll me përshëndetjet e zakonshme në gjuhë të ndryshme e me një urim marian për vitin e ri:
Uroj që viti i ri, i nisur nën shenjën e Virgjërës Mari, të na bëjë ta ndjejmë më gjallërisht praninë e saj amtare kështu që, të ndihmuar e të ngushëlluar nga Zoja e Bekuar, ta kundrojmë me sy të rinj fytyrën e Birit të saj, Jezusit e të ecim më shpejt në udhët e së mirës. Edhe një herë: Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.