2008-01-02 18:58:06

Kisha përkujtoi sot shenjtorët Bazili i Madh e Gregor Nacianceni. Papa: mbrojtën Misterin e Trinisë kundër opinioneve ‘politikisht korrekte’.


(02.01.2008 RV)Sot u kremtua festa e dy ipeshkvijve të mëdhenj, doktorë të Kishës: Shën Bazilit të Madh e Shën Gregor Naciancenit. Që të dy jetuan në shekullin IV në Kapadokie, Turqia aktuale, mbrojtën fenë nga herezitë e para, që kishin të bënin kryesisht me Trininë Shenjte. Papa u ka kushtuar dy etërve të Kishës katër katekizma gjatë audiencave të përgjithshme të verës së kaluar:
Dy shenjtorë të mëdhenj e miq të mëdhenj, Bazili dhe Gregori lindën të dy në vitin 330. I tërhoqi jeta murgare, i mahnitën lutja e meditimi i Shkrimeve Shenjte. Për bindje u shuguruan ipeshkvij e iu përgjigjën kësaj thirrjeje për të bërë dëgjesën – nënvizon Papa – duke pranuar të shkojnë në vendin që u kishte caktuar Provania hyjnore. Mbrojtën Misterin e Trinisë Shenjte, duke shpallur hyjninë e Krishtit e të Shpirtit Shenjt, kundër opinionit të shumicës e të vetë perandorit që – vijon të pohojë Benedikti XVI – nuk e konsideronte politikisht korrekt një mister kaq të madh. Bazili, teolog i hollë, bashkonte kundrimin me veprimin:
“Bazili u kujdes vazhdimisht për kushtet e vështira materiale, në të cilat jetonin të varfërit e të braktisurit, duke ndërmjetësuar edhe pranë qeveritarëve për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë: ndërtoi strehë të tilla për nevojtarët, që mund të shërbejnë si model për spitalet moderne; mbrojti lirinë e Kishës, duke iu kundërvënë hapur, kur ishte nevoja, njerëzve më të pushtetshëm. Reformator i urtë liturgjik, diti t’u kundërvihet me zell e guxim edhe heretikëve. Realizoi, kështu, një program të tërë, të cilin ipeshkvi i shenjtë ua dorëzon të gjithë kumtuesve të Fjalës së Zotit, sepse ka vlerë jo vetëm për dje, por edhe për sot".
Ndërsa Shën Gregor Nacianceni, njeri i butë e i ndjeshëm deri në druajtje, kërkonte unitetin e Kishës, por iu desh të përballonte kundërshtime tepër të ashpra. Donte paqe, i përgjigjeshin me luftë. Por ai kishte një forcë të pathyeshme: lutjen.
“Shën Gregori pohon se është e nevojshme ta kujtojmë Zotin më shpesh sesa frymëmarrjen, sepse lutja është takim i etjes së Hyjit me etjen tonë. Hyji ka etje për ne, e ne kemi etje për Të".
Kështu shkruan Shën Gregori i Naciancenit, teolog i madh, orator i madh e poet shijehollë. E megjithatë e mbante veten për asgjë – pohon Papa për Shenjtin që kremtoi sot Kisha, i cili na mëson të kërkojmë ndihmën e Zotit sa herë që rrëzohemi, me bindjen se Ai nuk kursehet të na e japë dorën, që të ngrihemi rishtas në këmbë!







All the contents on this site are copyrighted ©.