2008-01-02 18:58:17

2008-ta, Vit evropian i dialogut ndërkulturor: reflektim i kardinalit Toran.


(02.01.2008 RV)Viti 2008 është vit i dialogut ndërkulturor, shpallur nga Komisioni i Brukselit me moton: ‘Së bashku në larmi’. Nisma synon të sigurojë harmoninë në bashkëjetesën e nënshtetasve evropianë, përmes kuptimit të dobive që sjell pasuria kulturore. Lidhur me këtë, Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar nënvizon se nuk ka kulturë pa fe e fe pa kulturë. Por, ç’vend zë dialogu ndërfetar brenda këtij dialogu ndërmjet kulturave? Të dëgjojmë kardinalin Zhan-Lyi Toran në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Dialogu ndërfetar, natyrisht, duhet parë si dialog ndërmjet njeriut e Zotit; njeriut, që bën pyetje për kuptimin e jetës, të vdekjes, të së keqes… Pikërisht në këtë nivel duhet parë dialogu ndërfetar. Pse? Sepse, mendoj se feja flet për madhështinë e njeriut, flet për humanizmin, i cili jo vetëm që nuk e shkatërron kulturën, por e pasuron. Në dialogun ndërfetar ka një pedagogji që ndihmon për të fituar vetëdijen e unitetit të gjinisë njerëzore, të dinjitetit të njeriut e që të çon në kërkesën e faljes e të njohjes reciproke.
Pyetje: - Magjisteri i Papës Benedikti XVI mbi dialogun ndërmjet fesë e arsyes gjen një përmasë të mirëpërcaktuar në fushën e dialogut ndërkulturor e ndërfetar. Si mund të kuptohet ky takim?
Përgjigje: - Papa ka thënë se duhet guxim për t’i hapur rrugën arsyes, për të mos pasur frikë nga arsyeja. Në leksionin e tij në Regensburg kujtoi se të mos veprosh sipas arsyes, të mos veprosh me Logos, është në kundërshtim me natyrën e Hyjit. Jemi të detyruar, prandaj, të rigjejmë përmes këtij dialogu ndërmjet kulturave e feve, kuptimin e hyjnores. Njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por jeton edhe me kulturë, edhe me lutje. E nuk duhet ta harrojmë kurrë se feja flet me gjuhën e lutjes.
Pyetje: - Hirësi si mund t’i sintetizojmë lidhjet e fesë me kulturën në dritën e sfidave të sotme?
Përgjigje: - Në fakt, është një sfidë e madhe. Papa Pali VI, që ishte njeri me kulturë të gjërë, do të thosha një humanist në kuptimin e plotë të kësaj fjale, e konsideronte shkëputjen e kulturës nga Ungjilli si dramën më të madhe të kohëve tona. Besoj se në këtë kuptim ishte profet i vërtetë. Jemi të thirrur të pajtojmë kulturën me fenë e t’i ndihmojmë bashkëkohësit të kuptojnë se kemi nevojë të besojmë, në se duam të jetojmë mirë. Njeriu që nuk lutet, është shpirtërisht i gjymtë, sepse është krijuar për t’u lutur, për t’u lidhur me Hyjin, për të jetuar përtej sendeve materiale e për të gjetur përgjigjen përfundimtare për të gjitha pyetjet që i lindin. Besoj që edhe në dialogun ndërfetar ka rëndësi të nënvizohet se, në fund të fundit, lutja është ajo që mund ta ndryshojë zemrën e njeriut. Fetë kanë misionin ta shtyjnë njeriun të veprojë me drejtësi, të jetë i mëshirshëm, të ecë përvujtërisht në rrugën e Zotit. Kështu thotë Mikea profet në Bibël.







All the contents on this site are copyrighted ©.