‘Hirëplote’ emri më i bukur i Marisë, Nënës së Zotit
(01.01.2008 RV)Virgjëra Mari jo vetëm që nuk bëri asnjë mëkat, por u ruajt
edhe nga mëkati i rrjedhshëm, trashëgimi e përbashkët e gjithë gjinisë njerëzore”,
pikërisht sepse Zoti i kishte caktuar misionin të ishte Nëna e Shëlbuesit. Këtë e
përmban e vërteta e fesë që flet për të Papërlyerën, duke pohuar se fjala ‘Hirplote’-
në origjinalin grek kecharitoméne – është emri më i bukur i Marisë, emër që ia ngjiti
vetë Zoti. E kjo tregon se Maria është gjithnjë e përgjithmonë e dashura e zgjedhur
për të pranuar dhuratën më të çmuar, Jezusin, “dashurinë e mishëruar të Hyjit. Mund
të na lindë pyetja: pse ndërmjet të gjitha grave, Hyji zgjodhi pikërisht Marinë e
Nazaretit si Nënë për Birin e tij të vetëm? Përgjigja e kësaj pyetjeje fshihet në
misterin e pamatshëm të vullnetit hyjnor, por edhe Ungjilli vë në dukje një arsye
të kësaj zgjedhjeje: përvujtërinë e Marisë. Në ‘Komedinë Hyjnore’ të Dante Aligerit,
pikërisht në Këngën e fundit të Parajsës, shkruhet: “Virgjër e Nënë, ti bija e tënd
Biri, / ti e përvujtë e e lartë përmbi krijesat të tëra/…E vetë Virgjëra, në ‘Magnificat’,
thotë: “Shpirti im madhëron Zotin… sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të
përvujtë”. E Zotin e tërhoqi pikërisht përvujtëria e Marisë, që gjeti hir para syve
të tij: U bë kështu Nëna e Hyjit, figurë e model i Kishës, e zgjedhur ndër popuj
për të marrë bekimin e Zotit e për ta përhapur mbi gjithë familjen njerëzore.
Maria e pranoi Jezusin me fe e ia dhuroi botës me dashuri: Kjo është edhe thirrja
jonë e misioni ynë, thirrja e misioni i Kishës: ta pranojmë Krishtin në jetën tonë
e t’ia japim botës, që bota të shëlbohet përmes Tij. Besimtarët duhet ta shikojnë
festën e Marisë, Nënës së Zotit si një fanar që ndriçon rrugët e panjohura të vitit
të ri 2008, si shenjë të ndritur e të sigurtë shprese e ngushëllimi për popullin e
Zotit në shtegtim.