2008-01-01 13:57:03

Sonte ‘Te Deum’ kryesuar nga Papa për fundin e Vitit. Nesër paradite, Mesha në Ditën Botërore të Paqes, kushtuar temës së familjes.


(31.12.2007 RV)RealAudioMP3 Në frymën e Enciklikës së Tij të dytë ‘Spe salvi’ dhe të mesazhit për Ditën Botërore të Paqes me temë: “Paqja lind në familje”, sonte Papa Benediktit XVI kryesoi në Bazilikën e Shën Pjetrit uratët e para mbrëmësore të së Shenjtnueshmes Nënës së Zotit si dhe "Te Deum", falënderimin drejtuar Zotit në fund të vitit. Te Deum u kremtua në të gjitha katedralet e kishat famullitare të botës katolike në frymën e lutjes e të meditimit për një vit që kaloi e një tjetër vit që vjen, ngarkuar me ditët e veta ende të pajetuara.
Jehona e thellë e lajmit ungjillor të Krishtlindjes, e përfocuar nga Mesazhi për ditën botërore të paqes dhe nga Enciklika ‘Spe salvi’, të cilën Papa Racinger ua dhuroi të krishterëve për Solemnitetin e sivjetëm, shoqëroi dhe orientoi edhe reflektimet shpirtërore të fundit të vitit.
E sonte, pas kremtimit të lutjeve të para mbrëmësore, kushtuar së Shenjtnueshmes Nënës së Zotit, Benedikti XVI lartoi në bazilikën e Shën Pjetrit, në emër të Kishës universale, Te Deum e falënderimit në përfundim të një viti të pasur me hire, pa harruar kobet e shkaktuara nga episodet e rënda të luftës e të dhunës.
Në Jezu Krishtin, Ati qiellor deshi të na çlirojë nga mëkati e të na bëjë bij në shpirt. Me Virgjërën Mari gjunjëzohemi në adhurim përpara një misteri kaq të madh. Kjo është ndjenja që pushton shpirtin tonë, në sa kremtojmë Solemnitetin e sotëm, duke kujtuar se kjo festë mariane përkon me ditën e fundi të vitit. Prandaj sonte, kundrimit të misterit të amësisë hyjnore të Virgjërës, i shtojmë këngën e mirënjohjes sonë për përfundimin e vitit 2007, në sa në horizontin e historisë duket viti 2008. E falënderojmë Zotin nga thellësia e zemrës për të gjitha të mirat që na ka dhuruar gjatë 12 muajve të kaluar, që shtuan radhët e të rinjve të krishterë, rritën ndjeshmërinë për vlerën e paqes, të jetës e të mbrojtjes së ambientit, nxitën hapa domethënëse përpara në rrugën jo të lehtë ekumenike.
Në këtë liturgji të fundvitit, lavdërimi e falënderimi drejtuar Zotit, shoqërohet edhe me një rrëmim të sinqertë të ndërgjegjes personale e komunitare. Të gjithë i kërkojmë falje Zotit për mungesat e për fajet, të sigurtë se Hyji, i pasur me mëshirë, është pafundësisht më i madh se mëkatet tona.
Në Ty shpresuam; në Ty, o Zot, do ta mbështesim rishtas shpresën tonë - ripohojmë në këtë natë feste - Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde, të cilën s'ka forcë që mund ta shuajë. Bëj që çdo njeri vullnetmirë të provojë dashurinë e paqen e Zotit.
Kremtimi, që filloi në orën 18. 00, u mbajt brenda bazilikës së Vatikanit, ashtu si vitet e kaluara. Në se, nga njëra anë, kjo zgjedhje krijon një farë shkëputjeje prej një tradite të lashtë, sipas së cilës Te Deum kremtohej në kishën romake të Jezusit, nga ana tjetër krijon mundësitë që një numër shumë më i madh shtegtarësh e besimtarësh romakë - nga viti në vit më të shumtë - të marrin pjesë, së bashku me Papën, në lutjen e falënderimit drejtuar Zotit për të gjitha ditët e një viti që përfundon, për t'i hapur rrugën një viti të ri.
E sonte, duke iu drejtuar besimtarëve të dioqezës së tij të Romës, që mbushnin përplot Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Benedikti XVI kujtoi kryesisht Himnin e falënderimit drejtuar Hyjit për vitin 2007, që po perëndon e për 2008-tën që duket në horizontin e jetëve tona. Koha kalon e rrjedhja e saj e pandalur na nxit t’i sjellim sytë me mirënjohje të thellë nga Hyji, që është i amshuar, që është Zot i kohës – kujtoi Ati i Shenjtë në fillim të homelisë, dhe në vijim komentoi leximet liturgjike:
“Fjala e Mishëruar e shndërron nga brenda jetën njerëzore – tha Papa. - Zoti u bë si ne, për të na bërë si veten, bij në Birin, njerëz të çliruar nga ligji i mëkatit. A nuk është kjo një arsye e fortë që na shtyn t’i lartojmë Hyjit falënderimin tonë? Një falënderim që fiton vlerë të veçantë në mbarim të një viti, në sa kujtojmë ndihmën e Zotit që s’na mungoi kurrë gjatë 12 muajve të kaluar”.
Ja sepse – vijoi Ati i Shenjtë – çdo bashkësi e krishterë mblidhet sonte për të kënduar ‘Te Deum’, himnin tradicional të lavdërimit e të veprimit të hirit të të Shentjnueshmes Trini.
Duke e kënduar – vijoi Papa - lutemi:
“Ndihmoi bijtë e tu, o Zot, që i shpërbleve me gjakun tënd të çmuar. Mbroji, me mëshirën tënde, banorët e qytetit tonë, në të cilin, ashtu si gjetiu, mbi jetën e njerëzve e të familjeve peshojnë rëndë mungesat e varfëria, ta shikojnë me besim ardhëmërinë”.
Nuk janë të paktë njerëzit, sidomos të rinjtë – vijoi Ati i Shenjtë – që joshen nga ekzaltimi i rremë, ose më mirë të themi, nga përdhunimi i trupit e banalizimi i seksualitetit; e nuk janë të pakta as sfidat që, të lidhura me konsumizmin dhe shekullarizmin, duhen përballuar nga besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë. Me një fjalë, edhe Roma e ndjen mungesën e shpresës e të besimit, që përbën sëmundjen e keqe të shoqërisë moderne perëndimore.
Por në se mungesat janë të dukshme, fort më të dukshme janë edhe drita e arsyeja për të shpresuar. Pikërisht për këtë, duke kënduar ‘Te Deum’ lutemi: Shpëtoje popullin tënd, o Zot. Priji e mbroji bijtë tu, që janë trashëgimia jote – tha Papa e vijoi t’i lartonte Zotit lutjen:
Mbroji, o Zot, nismat misionare të botës rinore. Ndihmoji të rinjtë e të rriturit që këtë vit nisën rrugën e meshtarisë:
“Ti je shpresa jonë! S’ do të jemi të pështjelluar në amshim!”.
Himni madhështor ‘Te Deum’ mbyllet me këtë brohori feje e besimi të plotë në Hyjin e me këtë shpallje solemne të shpresës sonë – tha Papa dhe më pas kujtoi Enciklikën e tij ‘Spe salvi’, përmes së cilës na bën thirrje ta shikojmë shpresën tonë kryesisht si shpresë për të tjetrët , për të gjithë njerëzit.T’i lutemi pra Zotit – tha në përfundim Ati i Shenjtë – ta bëjë secilin nga ne, tharm të vërtetë shprese në mjediset e ndryshme, që të mund të ndërtohet për të gjithë një ardhmëri më e mirë. “E ky është urimi im për të gjithë natën e një viti të ri, urim që ia besoj ndërmjetësisë amtare të Marisë, Nënës së Hyjit e Yllit të shpresës!”.Nesër, më 1 janar, duke nisur nga ora 10. 00, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit po në Bazilikën e Shën Pjetrit, prej nga do të përhapet në mbarë botën mesazhi papnor për Ditën Botërore të Paqes 2008. Është një ditë, ndikimi i së cilës, sipas dëshirës së Papës, duhet të zgjatë tërë vitin, e prandaj Ati i Shenjtë i fton të gjithë ta lexojnë e të thellohen në kuptimin e fjalëve që përbëjnë titullin e mesazhit: “Paqja lind në familje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.