2008-01-01 16:45:01

Papa i kërkon Hyjit, me ndërmjetësinë e Marisë, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes për familjet e për mbarë botën.


(01.01.2008 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI i lutet Zotit t’i japë paqe familjeve e mbarë botës: në Meshën e kryesuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në Solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënës së Zotit si dhe në Ditën e 41-të Botërore të Paqes, Papa kujtoi se të mohosh të drejtat e familjes, do të thotë të kërcënosh vetë themelet e paqes. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot ia besoi Vitin e Ri mbrojtjes qiellore të Zojës së Bekuar.
“Fillojmë sot një vit të ri e na merr për dore shpresa e krishterë; e fillojmë duke iu lutur Hyjit të na japë bekimin hyjnor e duke kërkuar, me ndërmjetësi të Marisë, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes: për familjet tona, për qytetet tona, për botën mbarë” .
Gjatë homelisë Ati i Shenjtë kujtoi se të gjithë dëshirojnë të jetojnë në paqe, por paqja e vërtetë nuk është thjeshtë fitore e njeriut apo fryt i marrëveshjeve politike; është, mbi të gjitha, dhuratë hyjnore, për të cilën duhet të lutemi vazhdimisht e, njëkohësisht, edhe impenjim që duhet çuar përpara me durim, duke iu bindur gjithnjë urdhërave të Zotit. Prej këndej, duke kujtuar mesazhin e tij për këtë Ditë, “Familja njerëzore bashkësi e paqes”, ripohoi se ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet familjes natyrore, themeluar mbi martesën e një burri me një grua, e paqes. Këtë koncept, më pas, e theksoi edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot:
“Kush i kundërvihet institutit familjar, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, e bën të brishtë paqen… sepse ligështon atë që faktikisht është ‘agjensia kryesore e paqes’. Pjesën e dytë të homelisë, Papa ia kushtoi Solemnitetit të Zojës së Bekuar, Nënës së Zotit. Titulli ‘Nëna e Zotit’ – shpjegoi Papa – së bashku me titullin ‘Virgjëra Shenjte’, është më i lashti dhe themeli i gjithë titujve të tjerë, me të cilët besimtarët e nderojnë në Lindje e në Perëndim. Mishërimi i Fjalës Hyjnore dhe amësia hyjnore e Marisë janë mistere të mëdha, të vështira për t’u kapur nga mendja njerëzore. Maria – shkruan Shën Luka – i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemër të vet”. (Lk.2,19) Folja greke ‘sumbállousa’, që përdoret në këtë rast – tha Papa - do të thotë ‘t’i mbledhësh së bashku’ e të shtyn të mendosh për një mister të madh që duhet zbuluar pak nga pak:
“Në shkollën e Marisë mund të mësojmë me zemër, atë që sytë e mendja nuk mund ta perceptojnë, as mund ta nxënë. Bëhet fjalë për një dhuratë tepër të madhe, e cila mund të pranohet vetëm përmes fesë, ndonëse nuk mund të kuptohet plotësisht. E pikërisht në këtë shtegtim feje. Maria na ndihmon, na mbështet, na prin”.
Në vijim Benedikti XVI i nxiti besimtarët të ecin pikërisht në rrugën e zemrës, që është dija e shenjtorëve, të cilët nuk u lodhën kurrë s’e kërkuari fytyrën e Zotit:
“Mund të jemi të sigurtë: në se nuk lodhemi s’e kërkuari fytyrën e Tij, në se nuk i nënshtrohemi tundimit të humbjes së besimit e të dyshimit, në se përmes vështirësive të panumërta, mbetemi gjithnjë të lidhur ngushtë me Të, do të provojmë patjetër pushtetin e dashurisë së Tij e të mëshirës së Tij, Foshnja e njomë që Virgjëra Mari ia dëfton sot botës, na bën veprimtarë të paqes, dëshmitarë të Tij, Princit të Paqes” Amen!”.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa lavdëroi nismat e shumta të bashkësive kishtare në të gjitha kontinentet me rastin e Ditës Botërore të Paqes, duke kujtuar posaçërisht manifestimin “Paqe në mbarë botën’, organizuar nga bashkësia e Shën Egjidit në Romë e në disa qytete të tjera të botës. Së fundi përshëndeti, ndërmjet të tjerëve, anëtarët e Lëvizjes së dahurisë familiare, që cilët e kaluan Natën e Vitit të Ri duke u lutur për familjet në Sheshin e Shën Pjertit dhe bekoi ‘Pishtarin e paqes’, të cilin një grup maratonistësh do të çojë në Tokën Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.