Kardinali Bertone në ‘Familjen e krishterë”: pavarësisht nga sulmet që i bëhen shpesh,
Kisha përpiqet për dialogun dhe mbrojtjen e vlerave në Itali e në botë.
(31.12.2007 RV)Një intervistë-bilanç, që përfshin me një shikim ngarjet kishtare
e shoqërore të 2007-tës, të lexuara në perspektivë të 2008-tës: kjo është përmbajtja
e intervistës që i dha sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone,
së përjavshmes italiane “Familja e krishterë’, e cila do ta botojë në numrin e 6 janarit
të ardhshëm. Si niset nga situata në Itali, për ta zgjëruar horizontin tek situata
ndërkombëtare, duke kaluar nëpër Lindjen e Mesme e Kinë, kardinali Bertone i nxit
edhe mjetet tjera katolike të komunikimit të formojnë një rrjet të fuqishëm me ndikim
më të madh në shoqërinë bashkëkohore.Por, cili është burimi për ardhmërinë e botës?
Kardinali Bertone nuk ka kurrfarë dyshimi: është Kisha me trashëgiminë e saj morale
e shoqërore. Kjo Kishë, e sulmuar fuqimisht në Itali, ashtu siç nuk është sulmuar
as në vitet e antiklerikalizmit më të ndezur politik e ideologjik, vijon të besojë
në forcën e dialogut, të rreshtohet në krye të radhëve të atyre, që mbrojnë vlerat
e padiskutueshme të jetës e të familjes. E po kjo Kishë është gjithnjë gati të përballojë
çështjet ndërkombëtare më delikate e më të ngatërruara, duke nisur nga Kina, në Tokën
e Shenjtë e në vise e kontinente të tjera, duke mbrojtur vlerat ndërkombëtare dhe
deklaratat historike e duke ripohuar se Kombet e Bashkuara janë të pazëvendësueshme.