2008-01-01 16:46:00

Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes: ‘Kush i kundërvihet familjes, pengon paqen’.


(01.01.2008 RV)RealAudioMP3 Papa pohon se 'Kush i kundërvihet institutit familjar, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, e bën të brishtë paqen… sepse ligështon atë që është faktikisht ‘agjensia e paqes’. Gjithçka kontribuon për ta ligështuar familjen e themeluar mbi martesën e një burri me një grua, çka drejtëpërdrejtë ose tërthorazi frenon gatishmërinë për ta pritur me përgjegjësi jetën e re, çka pengon të drejtën e saj që të zërë vendin e parë në edukimin e fëmijëve, përbën një pengesë objektive në rrugën e paqes. Familja ka nevojë për shtëpi, për punë, për njohje të drejtë të veprimtarive shtëpijake të prindërve, për shkollimin e fëmijëve, për ndihmë shëndetësore të bazës. Kur shoqëria dhe politika nuk impenjohen për ta ndihmuar familjen në këto fusha, shterrojnë burimin themelor në shërbim të paqes. (5)

“Fjalori familjar – shkruan Papa – është fjalor paqeje; prej tij duhet të mësojmë gjithnjë, për të mos e humbur aftësinë e përdorimit të fjalorit të paqes. Në sa fjalët zhvleftësohen çdo ditë, shoqëria nuk mund ta humbasë aftësinë për ta përdorur këtë ‘gramatikë’, të cilën çdo fëmijë e nxen nga gjestet e nga shikimet e nënës e të babait, shumë më shpejt sesa fjalët. (3)

Familja – nënvizon Papa – ka disa të drejta të posaçme. Vetë Deklarata universale e të drejtave të njeriut, që përbën një fitore të qytetërimit juridik me vlerë vërtetë universale, pohon se ‘familja është bërthama natyrore e themeleve të shoqërisë dhe ka të drejtë të mbrohet nga shoqëria e nga Shteti’… Mohimi ose kufizimi i të drejtave të familjes, duke errësuar të vërtetën mbi njeriun, kërcënon vetë themelet e paqes. (4).

Papa kujton se njerëzimi është një familje e madhe: “Nuk është gjë e rastit që jetojmë njëri pranë tjetrit ; ecim të gjithë në të njëjtën udhë si njerëz e prandaj jemi si vëllezër e motra”. Jemi të gjithë bij të Hyjit: “Pikërisht duke u nisur nga ky parim, duhet perceptuar vlera e pakushtëzuar e çdo njeriu e mund të krijohen, kështu, parakushtet për ndërtimin e njerëzimit paqësor. Pa këtë themel të mbinatyrshëm, shoqëria është vetëm një grumbull njerëzish që jetojnë pranë e pranë, e jo bashkësi vëllezërish e motrash, që janë të thirrur për të formuar një familje të madhe”. (6)

Shtëpia e familjes njerëzore është toka – kujton akoma Papa, i cili pohon: “Duhet të kujdesemi edhe për ambientin”, por me një saktësim: “Qenia njerëzore, natyrisht ka përparësinë mbi gjithësinë. Të respektosh ambientin nuk do të thotë ta konsiderosh natyrën materiale ose frymore më të rëndësishme se njeriun”. Përsa i përket çështjes ekologjike, Papa nxit të bëhen vlerësime me maturi, duke u mbështetur në dialogun ndërmjet specialistëve e dijetarëve, pa shtytje ideologjike për të arritur në përfundime të nxituara e, posaçërisht, duke përcaktuar së bashku një model zhvillimi të qëndrueshëm, që garanton mirëqenien e të gjithëve, në sa respekton ekuilibrin ekologjik. Në se mbrojtja e ambientit kërkon shpenzime, këto duhen siguruar me drejtësi, duke pasur mirë parasysh larminë e zhvillimit në vende të ndryshme dhe solidaritetin me breznitë e ardhshme. Por të jesh i matur – nënvizon Papa – nuk do të thotë të mos i pranosh përgjegjësitë tuaja e ta shtysh vazhdimisht afatin e marrjes së vendimeve; përkundrazi, do të thotë të marrësh mbi vete detyrën e të vendosësh bashkarisht”. (7)

Papa tregon kështu se rruga më e mirë nuk është ajo e vendimeve të njëanshme, por ajo e dialogut. Posaçërisht është e nevojshme të thellohet dialogu ndërmjet Kombeve lidhur me shfrytëzimin e burimeve energjitike të Planetit, duke i rishikuar standartet e larta të konsumit të vendeve të zhvilluara e, duke parashikuar investime të përshtatshme për diferencimin e burimeve të energjisë. Papa denoncon faktin se Vendet e varfëra…detyrohen të shesin burimet e tyre energjitike e se vetë liria e tyre politike vihet në diskutim me forma të protektoratit, dmth të kushtëzimit, që duken… poshtëruese. (8)

Mesazhi ripohon se është e nevojshme të bëhet një shpërndarje e drejtë e pasurisë. Në mënyrë të veçantë, ndihmat që u jipen vendeve të varfëra, duhet t’i përgjigjen logjikës së shëndoshë ekonomike, duke shmangur rrezikun që të shpërdorohen vetëm për të mbajtur aparate të kushtueshme burokratike. Duhet të llogaritet edhe kërkesa morale, që organizimi ekonomik të mos i përgjigjet vetëm ligjeve të fitimit të menjëhershëm, që mund të jetë çnjerëzor. (10)

Papa kujton se për të pasur paqe, është i nevojshëm një ligj i përbashkët, që e ndihmon lirinë të jetë vërtetë vetvetja, në vend që të ndihmojë veprimet e verbra arbitrare si dhe ta mbrojë të ligshtin nga më i forti. E pohon: forca duhet disiplinuar gjithnjë nga ligji e kjo duhet të ndodhë edhe në marrëdhëniet ndërmjet shteteve sovrane (11), Lidhur me natyrën dhe funksionimin e ligjit – nënvizon se duhet të rinisemi nga norma morale natyrore, si bazë për normën juridike, përndryshe kjo mbetet në mëshirën e miratimeve të brishta e të përkohshme. (12) Bëhet fjalë për një ligj moral të përbashkët i cili, pavarësisht nga ndryshimet kulturore, u krijon të gjithë njerëzve kushtet të kuptohen ndërmjet tyre përsa u përket aspekteve më të rëndësishme të së mirës e të së keqes, të së drejtës e të së padrejtës. Njerëzimi nuk është pa ligj”(13)

Kemi pastaj edhe një vështrim mbi skenat ndërkombëtare: “Njerëzimi – shkruan Benedikti XVI - për fat të keq, jeton në situatën e përçarjeve të vazhdueshme e të konflikteve, që lëshojnë hijen e vet të zymtë mbi të ardhmen. Papa kujton luftërat e shumta civile në Kontinentin afrikan, ndonëse këtu shumë vende kanë bërë një përparim të dukshëm në rrugën e lirisë e të demokracisë, e pastaj, Lindjen e Mesme, që vijon të jetë gjithnjë teatër konfliktesh e atentatesh. Por, sidomos, bën një thirrje të fuqishme për zhdukjen progresive të armëve bërthamore ekzistuese, duke vënë në dukje rrezikun e mundshëm të shtimit të vendeve që i mbajnë armët bërthamore pa leje. Prej këndej vëren me keqardhje se vijon të shtohet numri i shteteve që marrin pjesë në garën e armatimeve. Përgjegjës për këtë tregti të kobshme … janë vendet e botës së industrializuar, që nxjerrin fitime të majme nga shitja e armëve si dhe oligarkitë sunduese në disa nga vendet e varfëra, që duan të fuqizojnë pushtetin e tyre. (14)

Në përfundim Papa kujton tre përvjetore: 60-vjetorin e Deklaratës universale të të drejtave të njeriut (1948-2008), duke e quajtur një hap vendimtar përpara në udhën e vështirë dhe impenjative drejt harmonisë e paqes’; 25-vjetorin e adoptimit të Kartës mbi të drejtat e familjes nga ana e Selisë së Shenjtë (1983-2008) dhe 40-vjetorin e kremtimit të Ditës Botërore të Paqes (1968-2008), fryt i intuitës providenciale të Papës Pali VI. E pikërisht në dritën e këtyre përkujtimeve kaq domethënëse, Benedikti XVI fton çdo burrë e çdo grua të impenjohet në rrugën e paqes me vetëdijen se i përket së njëjtës familje njerëzore dhe nxit besimtarët ta lusin Zotin pa u lodhur kurrë për dhuratën e madhe të paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.