(30.12.2007 RV)Sot, në festën e
Familjes Shenjte të Jezusit, Shën Marisë dhe Shën Jozefit, u përkujtua edhe Shën Feliçi,
papë. Jemi në tetëditshen e Krishtlindjes. Të hënën do të kremtohet festa
e Shën Silvestrit papë, e Shenjtoreve Donata e Hilaria, martire dhe e Shën Melanisë,
matronë romake: është nata e Vitit të Ri 2008 – Deo Gratias! Ta falënderojmë Hyjin
për të gjitha ngjarjet e vitit të kaluar dhe t’i lutemi të na dhurojë një vit të ri
në përkim me vullnetin e Tij! Të martën e ardhshme - Solemniteti i Marisë,
Nënë e Zotit - Dita e parë e Vitit të Ri 2008, shoqërohet me mesazhin e Papës për
Ditën e 41-të Botërore të Paqes. Të mërkurën, përkujtojmë Shenjtorët
Bazili dhe Gregori i Naciancenit, ipeshkvij e doktorë të Kishës, që me liturgjinë
e festës së tyre na kujtojnë se mbarë bota e pa shëlbimin e Zotit. Të enjten
ështëfesta e Emrit të Shenjtë të Jezusit, Qengjit të Hyjit, mbi të cilin
pushoi Shpirti Shenjt në trajtën e pëllumbit, Atij që shlyen mëkatet e botës. Në emër
të tij edhe ne u bëmë bij të Hyjit. Të premten e ardhshme do të
përkujtojmë Shën Elizabetën Seton dhe Shën Angjelën e Folinjos, rregulltare françeskane,
që na kujtojnë se kush e takon Zotin, mbetet i mahnitur prej Tij e nuk mund të mos
bëhet menjëherë misionar e kumtues i Mesisë së Vërtetë. Java mbyllet, të shtunën
e ardhshme, me festën e Shën Eduardit, mbret i Anglisë dhe Shën Gjonit Njumën,
ipeshkëv i Filadefies në SHBA. Liturgjia e festës na kujton se qielli u hap, për të
dëftuar ardhjen e Birit të Hyjit mes nesh. Ta pranojmë si Zot në zemrat e në shtëpitë
tona. Arrijmë, kështu, në përfundim të festave dimërore, në Solemnitetin e Dëftimit
të Zotit, që në Shqipëri njihet edhe me emrin Solemniteti i Ujit të Bekuar, i cili
do të kremtohet të dielën e ardhshme. Nga Nata e Krishtlindjes, tek Nata e Vitit të
Ri 2008 e tek Dëftimi i Hyjit të dielën e ardhshme, ta lusim Zotin që të jetë i pranishëm
në shtegtimin tonë gjatë gjithë Vitit të Ri 2008.