2007-12-29 17:53:11

Papa lutet për paqe në Pakistan dhe e quan ‘sulm brutal terrorist” atentatin kundër Benazir Butos.


(30.12.2007 RV)Papa lutet për paqe në Pakistan, vend i tronditur nga ‘sulmi brutal terrorist’ – siç e quajti Benedikti XVI vrasjen e të enjtes së kaluar në Ravalpindi, të ish-kryeministres Benazir Buto.
Ati i Shenjtë i shpreh ndjenja simpatie të thellë e afërsie shpirtërore familjes së Benazir Butos si dhe mbarë kombit pakistanez. Në një telegram ngushëllimi dërguar në emrin e Atit të Shenjtë nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore pakistaneze, imzot Lorenc Xhon Saldhana, Benedikti XVI e quan ‘sulm brutal terrorist’, vrasjen e ish-kryeministres, lutet që të shmanget ushtrimi i dhunës e të bëhen të gjitha përpjekjet për të krijuar një klimë respekti e besimi, të cilat janë aq të nevojshme për të ruajtur rendin në shoqëri e për t’u krijuar institucioneve politike të vendit mundësinë që ta kryejnë me sukses detyrën e tyre. Papa e kujtoi tokën e martirizuar të Pakistanit edhe në mesazhin e Krishtlindjes të 25 dhjetorit të kaluar: duke folur edhe për sitauata të tjera krize, kujtoi viktimat e shumta të terrorizmit e të dhunës, që u shkaktojmë vuajtje të pashembullta shumë popullsive. Nënvizoi edhe se tensionet etnike, fetare e politike, mungesa stabilitetit, rivalitetet, kundërvëniet, padrejtësitë e diskriminimet që copëzojnë indin e brendshëm, në shumë vende, i ashpërsojnë më tej marrëdhëniet ndërkombëtare. Benedikti XVI i nxiti udhëheqësit e qeverive të kenë urtinë e guximin për të kërkuar e për të gjetur rrugëzgjidhje njerëzore, të drejta e të qëndrueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.