2007-12-29 18:46:23

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Familjes së Shenjtë


(29.12.2007 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të solemnitetit të Familjes së Shenjtë.
Dëgjues të nderuar gjendemi në kohën e Krishtlindjes e vazhdojmë të kundrojmë misterin e mishërimit të Zotit tonë Jezu Krishtit, vazhdojmë ta ardhurojmë Zotin që ka dashur të lind në Familjen e Nazaretit për të na mësuar edhe ne po ato virtyte që lulëzuan në familjen e Jezusit. Pra, kjo festë na propozon si reflektim misterin e jetës së Jezu Krishtit. Fjala e mishëruar e Hyjit u inserua e hyri thellësisht e rrënjësisht në realitetin njerëzor duke marrë pjesë në të gjitha përmasat. Kështu kjo festë na përkujton edhe një herë se Familja është e mira më e çmueshme, se Familja është vlera më e shtrejtë që njerëzimi ka e prandaj Jezusi, Maria e Jozefi janë shembuj për ne se si duhet të jetojmë në përkim e dashuri unitetin familjar.
Kremtimi i festës së Familjes së Shenjtë në të dielën e parë pas Krishtlindjes ka një domethënie shumë të qartë: Fjala e Zotit duke u mishëruar, ka dashur ta shenjtëroi natyrën njerëzore në të gjitha aspektet e saj, e mes këtyre aspekteve themelor është ai i familjes.
Tema e familjes është jashtëzakonisht aktuale edhe sot, e Fjala e Zotit e kësaj feste na tërheq vëmendjen tonë të të gjithëve, prindër e fëmijë ndaj vlerave njerëzore nga të cilat duhet të burojnë sjelljet dhe verpimet e mira e të drejta, në mënyrë që çdo familje të jetë e denjë të quhet Familje; vend i formimit të personit, vend i kultivimit dhe i rritjes e rrezatimit të vlerave njerëzore, shpirtërore, shoqërore, kulturore, kombëtare e botërore.
Ne nga një herë Familjen e Shenjtë e shikojmë me admirim e smirë të shenjtë duke menduar e konsideruar atë si familje të “privilegjuar” në krahasim me familjen tona të zakonshme. E kjo bëhët për ne një alibi i lehtë për të arsyetuar realitetin tonë familjar. Mirëpo, duke lexuar më vëmendje pjesën e Ungjillit të kësaj feste marrë nga Mateu, zbulojmë se as Familja e Shenjtë e Nazaretit nuk është kursyer e as ruajtuar prej vështirësive që të gjithë ne kemi e përjetojmë. Jezusi jo vetëm që lind i varfër e larga prej vendit e tokës së tij, por qysh i vogël është refugjat, detyrohet të emigroj. Të qenurit të tij Bir i Zotit nuk e ka vënë në strehim e as ruajtur prej vështirësive e problemeve, madje ky fakt i ka shkaktuar probleme edhe më të mëdha e të reja.
Në të vërtetë Jezusi nuk emigron për shkaqe ekonomike apo për arsye të fatëkeqësive natyrore apo nga lufta: emigrimi i tij nuk është llogaritje apo leverdi njerëzore e menduar e përgatitur. Eshtë ëngjëlli që i tregon udhën për një sistemim të përkohëshëm për ti shpëtuar persekutimit e vdekjes. E gjithnjë është engjëlli përherë emisar i Zotit, këshilltar i çmueshëm i shpirtit ai që e ndihmon Jozefin me familje të kthehet në vend të sigur për Foshnjen Hyjnore. Pengesa e problemi është Herodi, vendimet dhe përcaktimet e tija çnjerëzore realizojnë profecitë. Ai udhëron maskrën e fëmijëve të pafajshmëm duke synuar asgjësimin e Foshnjes së Betlehemit.
Po Familja e Shenjtë është “në udhëtim”, shpëton, e përjeton shtegtimin e fesë, zhvendoset në përkim me shenjat e Zotit.
*****
“Merre me vete fëmijën dhe nënën e tij e ik në Egjipt”. (Mt 2,13-15.19-23).
Ka lindur një fëmijë: dëshiron të thithë jetën, ndërsa rrethë tij mbretërit përgatisin e përhapin vdekjen. Tregimi i pjesës së Ungjillit të Mateut dëshmon se Fjala e Zotit jo vetëm që është bërë mishë i brisht prej fëmije, por është mishë i kërcënuar, i rrethuar, i sulmuar, i ekspozuar ndaj të gjitha forcate të verbëra që e bëjnë të angështuar jetën e njerëzve. Eshtë Krishtlindja që vazhdon: është Zoti që mishërohet ende më tepër e më tej, edhe më thellë, në mishin e pasigurisë, të angështimit, të mundimit, të ankthit, të gulçimit.
Pse Zoti urdhëron të iket pa garantuar një të ardhme, pa shënjuar udhën e caktuar datën e kthimit? Pse lejon që Biri i tij të persekutohet e të emirgojë? Dashuria nuk mbron por ekspozon, vën në rrezik.
“Ik në Egjipt!” Por Egjipti nuk është shpëtim, është skllavëri për Izraelin. Dhe ja Jezusi e ripërshkon udhën e popullit të vet, zbret e ngjitet nga vdekja që është në Egjipt.
Hyji ndërhyn por jo ashtu siç e prisnim. Ndërhyn, sikur thotë Izaia, duke u bërë “forca ime e kënga ime” (12,2). Ja: mbretërit urdhërojnë masakra, Jozefi ëndërron. Një korkërr ëndërre bie brenda ingrazhanit e rrotave të historisë, e megjithëkëtë e aftë të ndryshoj rrjedhën. Herodi dërgon ushtarë e vret, por diçka i zbulon e asgjëson planet e tij. Zoti nuk dërgon ushtarë as kiler, por një ëngjëll brenda udhës së përvujtë e të thjesht të ëndërrës. Engjëlli ka një detyrë, e nuk është ajo e shmangjes së azilit, as e shmangies së vështirësive por për ti dhënë forcë Jozefit që të mos dorëzohet në shkretëtirë, që të mos dorëzohet para frikës, që të mos dorëzohet para emigrimit e të lulëzojë shpresa për çdo njeri që na është dhuruar në Krishtin e mishëruar.
Tani ti degjojme leximet biblike . RealAudioMP3 ...dhe homeline e kesaj feste....RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.