2007-12-29 17:53:34

Dialogu, toleranca e respekti për dinjitetin e njeriut, janë temat qëndrore të takimit, në përgatitje e sipër, ndërmjet Benediktit XVI dhe liderëve myslimanë që i shkruan Papës. Intervistë me kardinalin Toran.


(30.12.2007 RV)RealAudioMP3 Selia e Shenjtë e shikon me shpresë takimin, në përgatitje e sipër, që vitin e ardhshëm do t'i hapë rrugën dialogut të Benediktit XVI me përfaqësuesit e 138 liderëve myslimanë, të cilët shkëmbyen letra gjatë muajve të fundit.
Përmes një Letre të dytë, drejtuar sekretarit të Shetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, që u bë e njohur pardje, prijësit islamikë falënderuan Papën për gatishmërinë që tregoi lidhur me takimin. U arrit kështu në përfundimin që në muajt e parë të 2008-tës, delegacionet e të dyja palëve të shihen për të përgatitur takimin, që kardinali Zhan Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, nuk ngurron ta quajë ‘historik’. Por, ta dëgjojmë vetë kardinalin Toran në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Më 19 nëntorin e kaluar, kardinali Bertone iu përgjigj, në emër të Atit të Shenjtë, Letrës së hapur, nënshkruar nga 138 liderët myslimanë, me një letër drejtuar princit Gazi të Jordanisë, dhe e njoftoi se Selia e Shenjtë ishte e gatshme të priste një delegacion të përbërë nga një grup përfaqësues i nënshkruesve, duke krijuar, kështu, mundësinë për shkëmbimin e mendimeve dhe të takimeve me institucionet e specializuara, siç është, bie fjala, Instituti Papnor për Studimet Arabe e Islamistike dhe Universiteti Gregorian, lidhur me përmbajtjen e kësaj Letre të hapur. Papa iu përgjigj se ishte i gatshëm t’i priste në audiencë nënshkruesit. Kjo qe etapa e parë. Pastaj, më 12 dhjetorin e kaluar, gjithnjë princi Gazi, iu përgjigj kardinalit Bertone, duke njoftuar se e pranonte ftesën e Selisë së Shenjtë e se ndërmjet shkurtit e marsit 2008 do të vinin në Romë tre përfaqësues të nëshkruesve, për ta përgatitur këtë takim, që mund ta quajmë historik.
Pyetje: - E cilat do të jenë temat kryesore të këtij takimi?Përgjigje: - Mendoj se do të jenë tri tema kryesore: së pari, respekti efektiv i dinjitetit të njeriut, i të drejtave të tij, në radhë të parë, i së drejtës për lirinë e ndërgjegjes e të fesë. Pastaj, nevoja e dialogut fetar, që krijon kushtet për njohjen objektive të fesë së tjetrit. Së fundi, siç shkruan kardinali Bertone në Letrën e tij, edukimi i të rinjve me frymën e respektit reciprok e të tolerancës. Mbetet për t’u caktuar data, por mund të them se të dyja palët kanë vullnetin e mirë, gjë që më shtyn ta shikoj plot shpresë këtë takim, i cili besoj se do të përfundojë me sukses.







All the contents on this site are copyrighted ©.