2007-12-29 17:54:27

Atë Gjergj Fishta në 67 vjetorin e vdekjes (30 dhetuer 1940).


(30.12.2007 RV)RealAudioMP3 Dita 30 dhetorit të vjetës 1940 regjistrohet në të gjitha kronikat historike të Shqipnisë, në prag të një robnie të re. Gjergj Fishta, Poeti Kombëtar kishte ndërrue jetë!
Të nesërmen vonë, një grup zhgunamurrtësh hapte, me zemër të këputun, vorrin e Poetit. Për me ia plotësue dishirin e mbram “Një kryq druni, t’kjosha true/ Nxire e venma përmbi krye!”- i vunë te kryet një kryq dullije.
Thonë se, kur e pyetën njenin prej kundërshtarëve të tij se çka i kishte lakmi Atë Fishtës, u përgjegj me një fjalë të vetme: “Funeralin!”. Dhe kishte të drejtë: nuk kjanë për dokedo një Komb i tanë!
Po me qenë se ai nuk kishte dekë, sepse Kangatari i Lahutës nuk mund të desë kurr, historia e jetës së tij nuk u mbyll nën rrasën e akullt, që sivëllazënt me kapuçat françeskanë ulun fort mbi sy, për me mshehë lotët-rrëkajë, vunë mbi reliket e tij.

Zhvarrimi vandal:

Ende nuk ishin terë lotët, kur në kishë hynë furishëm ata që e quejshin veten çlirimtarë. Thue kishin ardhë me çlirue të dekunin prej vorrit? Thue prandej i hoqën me aq turr kunorat me lule, flakën kryqin e thjeshtë prej dullije e gërricën shkrojlat, tue e lanë rrasën e ftohtë, të bardhë prej mermeri, pa emnin e tij? Apo kishin ardhë me e çue prej vorrit për ta martirizue, ashtu si bashkëvëllazënt? Me bindjen se nuk do ta çonte kurrë ma rrasën.
Fillë mbas vorrit do t’i vinte radha kishës: më 6 shkurt edhe asaj kujtuen se i erdh fundi. E tek e kthejshin tempullin e Hyjnisë në teatër sukujsh, papritë u kujtuen se ai s’kishte dekë. Ai ishte gjithnjë aty!
Atëherë u dynden rishtas te Vorri pa emën. E hapën me mllef. I nxorën ngutshëm eshtënt dhe i flakën në Dri.
Besuen se tashma kishte marrë fund, se s’do t’i ndigohej ma zani.
Por Kangatari i “Mrizit të Zanave”, i mbetun pa vorr, si Skënderbegu, vijoi të jetonte strukë në kujtesën e në legjendën e Kombit, bashkë me herojtë e epopesë së tij. Tue pritë me e çue prap rrasën.

Ringjallja:

E u ringjall, sapo Kombi bani përpjekjet e para për t’u kthye në jetë!
U ringjall 50 vjet mbasi i kishte mbyllë sytë, më 28 dhetuer 1990, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve në Tiranë, shi aty ku ishte hedhë aq shumë baltë mbi emnin e tij të pamort. Mandej, më 30 dhetuer 1990, në Klubin e Rinisë, në Shkodër, prej kah ishin flakë jashtë bashkëmotrat stigmatine e ishin shqiptue dënimet me vdekje të bashkëvëllazënve.
Me 13 dhetuer 1995 në fundin e kishës françeskane të Gjuhadolit, që po rindërtohej, filluen gërmimet shi në atë vend ku ai kishte zdrypë 55 vjet ma parë. Nën copat e tullave dhe materialit të ndërtimit që mbushte vorrin, ai u gjet rishtas: dolën nga dheu grimca eshtënsh të shkapërhapuna, të harrueme prej ngutit e tmerit të gjestit makabër. Zoti kishte premtue që të ruheshin pikërisht eshtënt e dorës së tij të djathtë, të asaj dore që shkroi “Lahutën e Malcis”, “Mrizin e zanave”, “Vallen e Parrizit”, “Anzat e Parnasit”, “Jerinën”, “Gomarin e Babatasit”… mija e mija vargjesh e rreshtash që duken si të shkrueme sot e për sot! E u ringjall më 29 dhetuer 1996, kur emni i madh u duk rishtas mbi rrasë: vorri u rindërtue e mbi te ngadhënjeu Kryqi i dullijës!
E mandej ata që nuk e kanë harrue kurrë, e panë përsëri të gjallë, thadrue në mermer, në mjedis të Shkodrës, që e deshti aq fort.
Atë Gjergj Fishta asht gjallë. Asht rikthye në gji të popullit të vet, i cili ia ndjeu aq shumë mungesën: përsëritje e fatit të gjenive të cilët, tue kalue nëpër rrethana të kobshme, nëpër mohim, vandalizëm e urrejtje, rikthehen pambarimisht për me u pri popujve të tyne në rrugën e lirisë së vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.