2007-12-27 17:49:59

Liderët myslimanë, nënshkrues të Dokumentit: ‘Një fjalë e përbashkët’, janë gati të takohen me Benediktin XVI: lajmin e jep princi jordanez, Ghazi bin Muhammad bin Talal në një letër drejtuar kardinalit Bertone.


(27.12.2007 RV)Dijetarët myslimanë, nënshkrues të Letrës së hapur drejtuar liderëve të krishterë “Një fjalë e përbashkët ndërmjet nesh e jush’ e falënderojnë Benediktin XVI për inkurajimin dhe interesimin e tij lidhur me dialogun katoliko-mysliman. Këtë nënvizon një nga nënshkruesit kryesorë të Dokumentit, princi jordanez Ghazi bin Muhammad bin Talal, në një Letër drejtuar kardinalit Tarçizio Bertone.
Duke marrë zemër nga vizita e kohëve të fundit që bëri në Vatikan mbreti saudit Abd Allah bin Abd Al-Aziz, jemi të gatshëm të takohemi me Benediktin XVI në Romë – i shkruan princi jordanez, kardinalit Bertone, pas këshillimit me nënshkruesit kryesorë të Letrës së 138 dijetarëve myslimanë, drejtuar Papës dhe liderëve të tjerë të krishterë. Dialog - pohohet në Letër - do të thotë shkëmbim mendimesh ndërmjet personave me këndvështrime të ndryshme. Arsyeja që na shtyn të dialogojmë – vijon Letra - është dëshira për të praktikuar atë që ne, myslimanët, e quajmë ‘rahmah’ e ju keni kënaqësinë ta quani ‘caritas’.
Princi jordanez pohon se nuk mund të ketë marrëveshje teologjike të plotë ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Megjithatë shpreh vullnetin e mirë për bashkëpunim të bazuar mbi gjithçka që përkon ndërmjet dy palëve, për interes të së mirës së përbashkët e për dobinë e mbarë botës”.

Gjithnjë këto ditë është botuar një mesazh nga ana e Dijetarëve myslimanë drejtuar të krishterëve, me urime për Krishtlindjen e Vitin e Ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.