2007-12-27 18:04:14

Dritë-hijet e Krishtlindjes 2007


(27.12.2007 RV)Krishtlindja është hyrja e Zotit në historinë njerëzore, do me thënë mishërimi i Fjalës së Hyjit, ardhja e dashurisë në botë, e një dashurie e cila është gati t’i ndihmojë të gjithë ata që duan t’ia hapin zemrat e të bëhen burim i pajtimit e i faljes. Vërtetë dëgjohen shumë lajme të trishtuara – vrasja e ish-kryeministres Benazir Buto në Pakistan, lufta në Irak, situata në Palestinë, ngjarjet dramatike në Sudan, në Darfur, në Republikën Demokratike të Kongos, situata e paqëndrueshme në Ballkan, persekutimet kundër të krishterëve në vendet e ndryshme të botës, por pranë gjithë këtyre kumteve tronditëse, sa veprimtari vullnetariati, sa bujari në dhënien e ndihmave për botën e për të varfërit, më tepër nga ana e njerëzve dhe e familjeve të veçanta, sesa nga ana e shteteve. Nuk duam t’ia atribuojmë gjithçka pozitive krishtërimit, por pa dyshim që krishtërimi është jashtzakonisht i gjallë. Nuk besojmë se ka forca të tjera në botë kaq të fuqishme, në vijën e parë të frontit për edukimin e njeriut me frymën e pajtimit, të faljes, të ndihmës e të solidaritetit reciprok. Nuk është fjala thjeshtë për të dhuruar sende materiale, por për të dhuruar vetveten, e vetvetja mund të dhurohet përmes miqësisë dhe dashurisë së çiltër, përmes ndihmës vëllazërore e faljes, përmes kalimit të kohës së bashku dhe aftësisë për dëgjim reciprok.Prandaj edhe mes kërcënimeve e mosbesimit, nga Shpella e Betlehemit lind shpresa. Misteri i Krishtlindjes, pavarësisht nga largimi prej shtëpie, pavarësisht nga varfëria e grazhdit, indiferenca e popullit, armiqësia e pushtetit njerëzor, është mister gëzimi, sepse lindi Shëlbuesi, që e mbush botën me dritë: e mbi dritën e Birit të Zotit nuk do të mund të ngadhënjejë kurrë errësira.







All the contents on this site are copyrighted ©.