Papa: Shën Gjoni Apostull e Ungjilltar është dishepulli që shpalli se ‘Zoti është
dashuri”.
(27.12.2007 RV)Sot Kisha përkujtoi
Shën Gjonin Apostull e Ungjilltar, të cilit Benedikti XVI i kushtoi tre katekizma
gjatë verës së vitit 2006. Shën Gjoni Ungjilltar – pohon Papa – nuk është teorik:
e takoi Jezusin, Zot të vërtetë e njeri të vërtetë, e këtë përvojë konkrete dëshiron
t’ua komunikojë edhe të tjerëve. Ai është i pushtuar nga dëshira paradoksale për të
bërë të dukshme të padukshmën, prandaj nuk mund të heshtë e të mos flasë për ç’ka
parë e dëgjuar, edhe përballë atyre që e persekutojnë Pikërisht kjo çiltërsi në
dëshmimin e fesë, mbetet shembull për të gjithë ne e na kujton se duhet të jemi përherë
gati për ta dëshmuar burrërisht bashkimin tonë të patundur me Krishtin, duke ia kundërvënë
fenë çdo llogarie e interesi njerëzor. Gjoni, me intuitë shkreptimtare, shpall
se Zoti është dashuri, dashuri që Hyji e shprehu konkretisht në Jezusin. E Krishti
nuk u mjaftua me fjalë, por kaloi nga fjalët, tek veprat, duke e paguar me kokë,
impenjimin e tij, ashtu siç shkruan edhe Shën Gjoni: “Hyji e deshi aq shumë botën,
dmth të gjithë neve, sa të dhuronte Birin e tij të vetëm (Gjn. 3, 16). E dashuria
e Hyjit për njerëzit konkretizohet e dëftohet në dashurinë e vetë Krishtit. E Gjoni
vijon të shkruajë: “Jezusi, pasi i deshi të tijtë që ishin në botë, i deshi deri në
fund të fundit”. … Ja deri ku arriti dashuria e Jezusit për ne: deri në derdhjen e
gjakut të vet për shëlbimin tonë! I krishteri, duke kundruar këtë provë të dashurisë,
nuk mund të mos e pyesë veten se si duhet t’i përgjigjet. Gjoni flet për urdhërimin
e ri të Jezusit: ‘Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë. Kështu – nënvizon
Papa - dashuria bëhet vërtetë e krishterë, sepse është dashuri për të gjithë, pa
kurrfarë dallimi e edhe sepse arrin deri në pasojat më të skajshme, duke mos pasur
masë tjetër, veçse mungesën e çdo lloj mase. Këto fjalë të Jezusit: ‘Siç ju desha
unë’- na ftojnë e njëkohësisht na shqetësojnë: janë cak kristologjik që mund të duket
i paarritshëm, por njëkohësisht janë edhe nxitje që nuk na lë të biem në plogështi,
të kënaqemi me veteveten, por na shtyn të ecim vazhdimisht drejt këtij caku. Papa
flet për Gjonin, autorin e ‘Zbulesës’, që na zbulon kuptimin e gjithë historisë e
cila, përndryshe, do të mbetej e pakuptuar: vegimtari i Patmosit i shkruan vegimet
e tij të mëdha: themelor është vegimi i Qengjit të therur, që qëndron drejtë në këmbë,
në mes të fronit, ku është ulur vetë Hyji. Jezusi, Biri i Hyjit, në këtë tokë është
Qengj i pambrojtur, i plagosur, i vdekur. E megjithatë, qëndron drejt në këmbë, para
fronit të Hyjit dhe merr pjesë në pushtetin hyjnor. Ai e ka në dorë historinë e botës.
E kështu vegimtari dëshiron të na thotë: “Kini besim në Jezusin, mos u trembni nga
pushtetet kundërshtare, nga persekutimet. Qengji i plagosur e i vdekur fiton! Ndiqeni
Qengjin Jezus, besojini Jezusit, merrni rrugën e tij! Edhe pse në këtë botë është
vetëm një Qengj, që duket i ligshtë, ai është fitimtari! Papa na fton t’i ngjasim
Gjonit, i cili mbështet kokën mbi kraharorin e Mjeshtrit gjatë Darkës së Mbrame:“Zoti
na ndihmoftë të ulemi në bankat e shkollës së Gjonit për të nxënë mësimin e dashurisë,
për ta ndjerë se Krishti na do ‘deri në fund të fundit’ e për ta shkrirë jetën për
të.