‘Ti ulesh prej parrizit’ u përkthye në shqip nga dom Ndre Mjeda.
(26.12.2007 RV)Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons de Liguori improvizoi në
një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: “Ti zbret nga yjet’. E lehtë për
t’u kënduar, e përshtatshme për mundësitë vokale të fëmijëve, të grave e të njerëzve
të popullit, kjo nina-nanë u përhap shumë shpejt e u përkthye në gjuhë të ndryshme
të botës, duke u bërë, së bashku me ‘Stille Nacht’, një tjetër himn i Solemnitetit
të Lindjes së Krishtit. Është një nga këngët më të ëmbla të Krishtlindjes. E
këtë këngë, të cilën e pëlqente shumë edhe kompozitori i famshëm italian, Gjuzepe
Verdi, ne vijojmë ta këndojmë si lutje, sepse u frymëzua pikërisht nga dëshira e Themeluesit
të Redentoristëve, autorit të shumë veprave asketike e dogmatike, rrëfyesit, muzikanit,
kompozitorit, dijetarit të madh, Shën Alfonsit, për t’ia predikuar Ungjillin çdo krijese,
edhe me tinguj muzikorë. Prandaj pa këtë himn Krishtlindja do të kishte diçka mangut. Kënga
u përkthye shumë shpejt edhe në gjuhën shqipe, nga një përkthyes që kishte cilësi
të përafërta me krijuesin e saj. E cili nga studiuesit e letrave shqipe e di se përkthyesi
i himnit të dytë të Krishtlindjes, pas ‘Stille Nacht’, është meshtari e poeti i madh,
Dom Ndre Mjeda, i shtyrë nga e njëjta dëshirë: ‘t’ia predikonte Ungjillin çdo krijese?’.
Ja këtu më poshtë kënga në përkthimin e Mjedës:
Ti ulesh prej parrizit
Ti
ulesh prej parrizit, O Zot e mbret madhnije. E në tokë vjen m’ u bâ nieri Vetem
prej dashtenije: Aq i dashtun jé per né Qi në nji shpellë ti vjen me lé! O
Zot i lum, Un s’e kam ditë se ti Né të shkretët na don kaq shum! Për ty qi
rruzullimin Gjithmbarë e ké krijue, S’jânë gjetë as shpí as petka, E zjermi
të ka mungue. Tash âsht dimen, akull, borë, Me qindrue njashtu â zór. O
djalë i shkretë! Prei së ftofti ti po dridhe, Po dridhe e po bertet! O Biri
i të naltit Zot. Ti pate gjith lumnín, Por deshtas e ké lanun E kapë e
ké vorfninë. Pra pse kján e pse gjimon, Kerkush tý nuk po t’ankon: Ti do
me më msue Se pa durim nuk mundet Kerkush m’u shelbue. Ne disha gja ti fshân E
kján, o bukuri, Persè, si duhet, nieri S’t’a din gjith at dashtëní; Vesht
e mora un i ngrati Se at mundim t’a nep ty mkati; O mkat mallkue! Por ti,
o Zot, më fal! Më fal se jam pendue! Ti flên përmbi at grazhd, O i lumi
djalë plot hír. Por zêmers me mârrë gjûm I del fort pûn’ e fshtír. Zêmra
e jote pse po lngon! Natë e ditë shka po mendon? Un tjeter s’po mendoj Veçse
me dekë per njerin. Me dekë qi ta shelboj! Me lé e me dekë per mue Dashtnija
të ka shternguemun: E vetë pa të dashtë, o Jezu, Si mundemi me rrnuemun? Shpnesa
e ême, o Virgjin Mrí, Me dashtë Krishtin se nuk di, Tý të kjosha true: Më
mso gjithmonë me e dashtun,Me e dashtë e me e levdue!