2007-12-26 16:35:08

Nga mësimet e Papës Benedikti XVI


(26.12.2007 RV)Kur lind një fëmijë, përmes prindërve të tij, bëhet pjesëtar i një tradite familjare me rrënjë akoma më të lashta.
Së bashku me dhuratën e jetës, merr edhe trashëgiminë e përvojës, që prindërit kanë të drejtë dhe detyrë t’ua transmetojnë fëmijëve, duke i edukuar për zbulimin e identitetit të tyre, duke i udhëhequr në jetën shoqërore, në ushtrimin plot përgjegjësi të lirsë morale e të aftësive të tyre për të dashur e për t’u dashur e sidomos, në takimin me Hyjin.
Kështu në familje realizohet vazhdimësia e domosdoshme e fesë dhe e dashurisë, që garanton kalimin e traditave të çdo bashkësie nga breznia në brezni.
Në zanafillën e çdo njeriu e të çdo atësie dhe amësie njerëzore, është i pranishëm Hyji Krijues. Bashkëshortët duhet ta pranojnë foshnjën që lind jo vetëm si birin e tyre, por edhe si birin e Zotit që e do ashtu si është. Çdo akt krijues, çdo atësi e amësi dhe çdo familje e ka zanafillën në Hyjin që është Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë.Prindërit e krishterë janë të thirrur të japin dëshmi të besueshme të fesë e të shpresës së tyre, në mënyrë që thirrja e Zotit e Lajmi i mirë i Krishtit të transmetohen tek fëmijët me qartësi e vertetësi të madhe, përmes mësimit të lutjes së përbashkët e afrimit tek sakramentet, duke u prirë në jetën e Kishës. E familja është edhe vendi i lirisë së vërtetë dhe i ndihmës reciproke. Bashkëshortët dhe prindërit e krishterë duhet ta mbështesin me dashuri njeri-tjetrin për gjithë jetën dhe t’u transmetojnë bijve që u ka falë Zoti, mësimet e doktrinës së krishterë dhe virtytet ungjillore. Njeriu realizohet plotësisht vetëm kur ia dhuron sinqerisht vetveten të tjerëve dhe familja përfaqëson pikërisht mjedisin e përshtatshëm ku çdo njeri mëson të dojë e të duhet.
(09. 07. 2006)







All the contents on this site are copyrighted ©.