2007-12-26 16:42:16

Më 26 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Shtjefni Martir


(26.12.2007 RV)RealAudioMP3 Shtjefni, i nderuar si nga Kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, është martiri i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për përhapjen e Ungjillit.
Rrëfimin mbi martirizimin e tij e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit.
Sipas një gojëdhëne, në vitin 415 një meshtar me emrin Luçian, deklaroi se kishte gjetur trupin e shenjtit pranë Jeruzalemit, pasi i qe treguar në ëndërr vendi i varrosjes. Tradita u përhap me shpejtësi në botën latine e greke, ashtu si edhe reliket e Shenjti të parë martir, shumë nga të cilat nuk kishin të bënin fare me të. Gjithsesi kjo ndikoi shumë mbi përhapjen e kultit. Historitë e ndryshme, që kanë të bëjnë me gjetjen e trupit të tij, rivarrosjen në Kostandinopojë e më pas në Romë, tregohen me hollësi në ‘Legenda Aurea (kap. CXII).
Festa e Martirit të parë të krishterimit kremtohet më 26 dhjetor, dmth menjëherë pas Krishtlindjes.
Shën Shtjefni është Pajtor i një mori qytetesh, katedralesh e kishash nëpër botë. Vetëm në Shkodër i kushtohen dy katedrale: katedralja e Qytetit të Veriut e katedralja historike në Kështjellën Rozafa, ku çdo vit më 26 dhjetor, Mesha përkujtimore, në praninë e një numri të madh besimtarësh, kremtohet mbi rrënojat e lashta. Këto rrënoja na kujtojnë se shqiptarët luftonin nga këto ledhe kreshnike, duke shpalosur flamujt me figurën e Shenjtit Pajtor, Shtjefnit martir, në sa edhe ata vetë ishin shumë pranë martirizimit për mbrojtjen e Shqipërisë e të Evropës së krishterë.
Shën Shtjefnit i kushtohen një mori veprash arti, që e paraqesin duke pësuar martirizimin aq dramatik. Ndërmjet tyre njihet botërisht një nga kryeprat e Gjotos kushtuar pikërisht Shën Shtjefinit.Ashtu si Shën Shtjefni, martiri i parë i krishterë, mbytur me gurë në kohën e një persekutimi të egër kundër Kishës së Jeruzalemit, besimtarët janë të thirrur të jenë dëshmitarë të Ungjillit deri në pikën e fundit të gjakut. Ndërsa shpirti ynë është endë thellësisht i prekur, nga "mahnitja që shkaktoi ngjarja e jashtzakonshme e Lindjes së Krishtit", kremtuar dje, Shën Shtjefni na ndihmon të kuptojmë edhe më thellësisht misterin, të cilin po e jetojmë në fe.







All the contents on this site are copyrighted ©.