2007-12-26 16:32:00

Gëzim e mirënjohje ndër dioqezat që do të vizitohen nga Benedikti XVI në vitin 2008.


(26.12.2007 RV)Besimtarët e Liguries, të Pulies e të Sardenjës në Itali, e pritën me gëzim lajmin se do të vizitohen nga Papa gjatë 2008-tës. Tri vizitat, që u njoftuan dje, i shtohen shtegtimeve ndërkombëtare në SHBA, Sidnei e Francë. Plotësohet kështu kuadri i shtegtimeve apostolike të Benediktit XVI për vitin 2008.
Më 17 e 18 maj, Ati i Shenjtë do të jetë në Gjenovë e në Savonë – qytet ky i fundit, që nuk është vizituar nga papët që në vitin 1815, kur këtu ishte Piu VII.
Pas Kongresit Eukaristik italian, në maj 2005, Papa do të rikthehet në Pulie për të vizituar Brindizin e Santa Maria di Leukën më 14 e 15 qershorin e ardhshëm.
Së fundi, vizita baritore në Sardenjë, e pikërisht në Kaliari, nën shenjën e Marisë, më 7 shtator 2008, për kremtimin e njëqindvjetorit të shpalljes të Zojës së Bonarias, Pajtore kryesore e Sardenjës.
Këto janë vizitat baritore të Papës në Itali për 2008-tën, ndërsa shtegtimi i parë apostolik i vitit të ri do të jetë ai që Ati i Shenjtë do të bëjë në SHBA, në dioqezën e Nju Jorkut e të Uashingtonit, nga 15 deri më 20 prill 2008.
Më pas Papa do të shtegtojë drejt Sidneit për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet nga 15 deri më 20 korrik me temë: “Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëhemi dëshmitarët e mi”. (Vap. 1,8).
Më 2008 Benedikti XVI do të vizitojë edhe Francën, me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Zojës së Lurdës, në data që mbeten për t’u përcaktuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.