(25.12.2007 RV)Në këto ditë të
mëdha, në atmosferën Krishtlindjes 2007, me qindra herë kemi dëgjuar në radio, në
televizion, në Kisha, pranë Betlehemit, tingujt dhe fjalët e këngës së famshme “Stille
Nacht” - “O e qeta Natë”. Po cili është historiku i krijimit të kësaj kënge, ndër
më të famshmet e më të përhapurat në mbarë botën? Fjalët qenë shkruar natën e
Këshëndellave 1818, nga meshtari Joseph Mohr (Jozef Mor) (1792-1848), ndihmës famullitar
në Oberndor të Salcburgut (Austri). Në të njëjtën natë qenë muzikuar nga Franc
Xavier Gruber (Françesk Saver Gryber) (1787-1863), organist i qytezës së afërme, Arsndorf. Sipas
dëshirës së Mor, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitarra. Mor
e këndoi vetë këngën dhe e shoqëroi me kitarrë, ndërsa Gryber bëri pjesën e basit. Fjalët
dhe melodia u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”. Autorët
e këngës nuk figurojnë në asnjë encikopedi të madhe, ndoshta sepse “Stille Nacht”
është i vetmi krijim i tyre. Por shumë muzikantë të shquar, emrat e të cilëve gjinden
në të gjitha encikolopeditë, kanë deklaruar se do t’i jepnin me gjithë zemër të gjitha
kryeveprat e tyre, për të qenë autorë të kësaj ninulle hyjnore, melodia e së cilës
është e njohur nga njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha kombësive. Shumë
shpejt kjo këngë nisi të këndohej edhe ndër shqiptarë. Ishte fillimi i shekullit,
kur Atë Vinçenc Prennushi, françeskan, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu
dhe “O e qeta Natë” u këndua për herë të parë në Kishën françeskane të Gjuhadolit
në kremtimin e Krishtlindjes së vitit 1920. Po ju njohim me tekstin e Atë Vinçencit,
një nga përkthimet më lirike e më prekëse të këngës: Flej, o Qielluer, Zojës
në krahnuer. Flej, mos kjáj, ndale at’ váj. Gjumi t’vjen,
por ty s’t’bahet me fjetë, pse n’do kashta t’rrin
trupi Ty p’shtetë.
Jezus për p’shtim të gjithë
neve, Jezus për p’shtim të gjithë neve.
Ty
Zoja Mri, Ty gjithë dashtëni, rrin tuj t’ruejtë, ambël
prujtë,
Ditë do t’vinë, o Shelbues, me u mekë; Ka
me të ra mbi një krygjë ty me dekë ! Jezus për p’shtim të gjithë
neve, Jezus për p’shtim të gjithë neve!
Ishte
përkthim krejt i lirë i tekstit. Ndërkaq jezuiti Atë Pjetër Meshkalla e përktheu duke
i qëndruar shumë më besnik tekstit gjermanisht, që nisi të këndohej në kishat e etërve
jezuitë e këndohet edhe sot: Nat’
e qetë, Nat’ e shejtë, Krishti i lum sot ka le; Shih si qeshet
e bukura f’tyr’, Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’ Flej, o
i bukuri, flej Flej, se shpresa je Ti.
Nat’
e qetë, Nat’ e shejtë Krishti f’mijë i Zoj’s Mari Qe, në prehen
sa mir’ po i rri, Ejt’këndojnë me brohori: Erdh i lumi Mesi Erdh
i lumi Mesi.
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë, Me
shpejti vijnë barijt Me shikue k’te bukuri, Me adhrue njik’te
fëmijë Krishti plot dashuni, Krishti plot dashuni!
Le
të jehojë, pra, me fjalët shqipe, kjo kryevepër botërore, në Kishat tona që këtë vit,
për të 16-tën herë mbas dekadave pa Këshëndella, shtruan kashtën shqiptare në grazhdet
e Betlehemeve, për të pritur Shëlbuesin dhe i kënduan nina-nanën universale në gjuhën
tonë.