2007-12-25 17:07:54

Në mesazhin e Krishtlindjes ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’, Papa kujton njerëzit që jetojnë në mjerim, në padrejtësi, në luftë dhe u kumton të gjithëve Dritën e madhe të Krishtit.


(25.12.2007 RV)RealAudioMP3 “Në këto ditë paqeje, mendja të shkon posaçërisht atje ku shungullojnë armët” – duke kujtuar vendet e ngarkuara me konflikte, Benedikti XVI uroi që drita e madhe e Krishtit t’i ngushëllojë të gjithë ata që jetojnë në errësirë e në mjerim, në situata padrejtësie e lufte. Në mesazhin e Solemnitetit, Papa nënvizoi se ngjarja historike dhe misteri i dashurisë së Krishtlindjes ka më se dymijë vjet që u drejtohet burrave e grave të çdo epoke e të çdo vendi. E pikërisht mbarë Romës e Botës ‘Urbi et Orbi’, Papa i drejtoi nga lozha e Bazilikës vatikanase, urimet e tij të Krishtlindjes, shqiptuar në gjuhë të ndryshme të botës.
Etjes që ka bota e sotme për të gjetur kuptimin e vërtetë e vlerat e jetës, kërkimit të mirëqenies e të paqes që dëshiron mbarë njerëzimi, ëndrrave të të varfërve, Krishti, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, u përgjigjet me Lindjen e Tij mes njerëzve. Kështu na fton Benedikti XVI ta presim Krishtin, duke na kujtuar se Ai, që është krijuesi i njeriut, u bë njeri për t’i sjellë botës paqen. E në vijim, Papa kujtoi zonat e botës ku nuk ka paqe, tokat që i quajti të martirizuara: përmendi Darfurin, Somalinë, veriun e Republikës Demokratike të Kongos, kufijtë e Eritresë e të Etiopisë, mbarë Lindjen e Mesme, sidomos Irakun, Libanin e Tokën Shenjte. E pastaj Afganistanin, Pakistanin, Sri Lankën, pa harruar të ndalohet në Ballkan.
Më pas Papa kujton edhe situata të tjera krize të cilat shpesh, për fat të keq, harrohen dhe uroi:
“Krishti Fëmijë i ngushëlloftë ata që janë në provë e ndikoftë mbi udhëheqësit e qeverive urtinë e guximin që të kërkojnë e të gjejnë rrugëzgjidhje njerëzore, të drejta e të qëndrueshme... Kjo Krishtlindje qoftë për të gjithë, ditë gëzimi, shprese, paqeje”.
Përveç njerëzve që jetojnë në situata lufte, Papa kujtoi edhe ata që jetojnë në mjerim e që pësojnë padrejtësi, që u mohohet e drejta për të mbrojtur shëndetin, për të gjetur punë të rregullt, për të marrë pjesë në veprimtari civile e politike; ata që shtypen e fyhen në dinjitetin e tyre njerëzor; viktimat e terrorizmit e të dhunës në të gjitha shfaqjet e veta, posaçërisht kur kjo dhunë ushtrohet mbi njerëzit e ligshtë: mbi fëmijët, gratë, pleqtë. E kjo situatë...
“Ndërsa tensionet etnike, fetare e politike, mungesa stabilitetit, rivalitetet, kundërvëniet, padrejtësitë e diskriminimet që copëzojnë indin e brendshëm, në shumë vende, i ashpërsojnë më tej marrëdhëniet ndërkombëtare”.
E, duke vijuar të vërë gishtin në plagët e pafundme të botës, Benedikti XVI kujtoi edhe emigrantët, refugjatët, të shpërngulurit për shkak të fatkeqësive të natyrës, me pasoja tepër shqetësuese mbi banorët e mbi ambientin:
Përballë kësaj situate – theksoi Papa – individët e kombet nuk duhet të kenë frikë ta pranojnë e ta përbujnë Krishtin. Me Të, një dritë e shkëlqyer ndriçon horizontin e njerëzimit: me Të nis një ditë shenjte që nuk njeh perëndim. Papa citoi Librin e Zanafillës, duke kujtuar se, kur nisi jetën universi, Hyji tha: “U bëftë drita!”. ‘E drita u bë!”, gjë që tregon qartë se Fjala krijuese e Hyjit është ‘Dritë’, është ‘burim jete’. Ja pra pse – shtoi Benedikti XVI – të gjitha krijesat në themel janë të mira e kanë mbi vete vulën e Hyjit, kanë një shkëndijë drite. Por – kujtoi Ati i Shenjtë – për ta pranuar dritën e madhe të Krishtit, që është mbartëse e paqes, duhet fe, duhet përvujtëri:
“Të vegjëlit, të varfërit në shpirt: këta janë protagonistët e Krishtlindjes, si dje ashtu edhe sot; protagonistë të vërtetë të historisë së Zotit, ndërtimtarë të palodhshëm të Mbretërisë së Tij të drejtësisë, të dashurisë e të paqes”.
Është përvujtëria e Marisë - tha Papa – që besoi në fjalën e Zotit dhe adhuroi e para, e përkulur mbi grazhd, Frytin e kraharorit të saj; përvujtëria e Jozefit, njeriut të drejtë, që pati guximin e fesë e i duk më e arsyeshme t’i bindej Hyjit, se sa të ruante namin e vet të mirë; përvujtëria e barinjve, e të varfërve, e njerëzve të panjohur, që pranuan kumtin e lajmëtarit qiellor dhe u nisën për ngut drejt Shpellës ku gjetën Foshnjën e sapolindur dhe, të mrekulluar, e adhuruan, duke lavdëruar Hyjin.
Prej këndej ftesa e Papës: “Me Marinë, Jozefin e barinjtë, me mbretërit dijetarë e aradhet e pafundme të adhuronjësve të përvujtë të Foshnjës së sapolindur, të cilët gjatë shekujsh e pranuan mesazhin e Krishtlindjes, edhe ne, vëllezër e motra të të gjitha kontinenteve, ta lëmë dritën e kësaj dite të përhapet kudo”:
... të hyjë në zemrat tona, t’i ndriçojë e t’i ngrohë shtëpitë tona, të sjellë qetësi e shpresë në qytetet tona, t’i japë botës paqen. Ky është urimi im për të gjithë ju, që më dëgjoni. Urim që bëhet lutje e përvujtë e plot besim në Krishtin Fëmijë, që drita e tij të davarisë errësirën nga jeta juaj e t’ju mbushë me dashuri e paqe”.
Papa pohoi se vetëm drita e madhe që u duk në Krishtin mund t’u dhurojë njerëzve paqen e vërtetë. Ja pra pse – shtoi - çdo brezni është e thirrur ta pranojë Zotin, i cili në Betlehem u bë njëri nga ne. Por, kush është gati t’ia hapë portën e zemrës? Kush rri zgjuar në natën e dyshimit e të pasigurisë? – pyeti Papa. - Kush e pret agimin e ditës së re duke e mbajtur të ndezur flakën e fesë? Të gjithëve – pohoi Ati i Shenjtë – Krishti vjen t’u dhurojë vetveten si shpresë e sigurtë për shëlbim. E të gjithëve, banorë të ‘Urbi et Orbi’ - të Romës e të botës, Papa u dha bekimin e tij apostolik...
U drejtoi edhe urimin për Krishtlindje, shqiptuar në 63 gjuhë të botës, duke filluar nga gjuha italiane, për të vijuar me atë frënge, angleze, gjermane, spanjolle e, menjëherë pas gjuhës greke, me urimin në shqip:Zë. Për shumë vjet Krishtlindjen – me të cilin e filluam e do ta përfundojmë programin tonë të Solemnitetit të sotëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.