2007-12-24 17:35:11

Për shumë vjet Krishtlindjen 2007 – nga Radio Vatikani.


(24.12.2007 RV)Duke u përgatitur ta kremtojmë me gëzim lindjen e Shelbuesit në familjet tona e në bashkësitë tona kishtare, ndërsa e ashtuquajtura kulturë moderne dhe konsumistike përpiqet t’i zhdukë simbolet e krishtera nga kremtimi i Krishtlindjes, të impenjohemi të gjithë për t’i mbrojtur traditat e Festës, pjesë përbërëse të trashëgimisë së fesë sonë dhe të kulturës sonë, për t’ua transmetuar breznive të ardhshme. Në mënyrë të veçantë, në sa shikojmë udhët e sheshet e qyteteve tona të stolisura me drita vezulluese, të mos harrojmë se këto drita janë simbol i një drite tjetër, që nuk shihet me sy, por me zemër. Në sa admirojmë vezullimet, në sa ndezim qirinjtë në Kisha a ndriçojmë Shpellat e Betlehemit ndër shtëpi, le ta hapim zemrën tonë e të hyjë aty drita shpirtërore, që ndez vetë Zoti në zemrat e të gjithë njerëzve vullnetmirë. Hyji me ne, lindur në Betlehem nga Virgjëra Mari, është Ylli i jetës sonë!
Ekipi i programit shqip të Radio Vatikanit bashkon zërin me korin vigan të urimeve në gjuhën shqipe, që tashmë jehon në mbarë botën, ku jetojnë e punojnë shqiptarët:Urime! Gëzuar! Për shumë vjet Solemnitetin e Lindjes së Krishtit 2007!







All the contents on this site are copyrighted ©.