2007-12-24 17:32:28

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot të së Dielës IV të Ardhjes: “Gëzimi i Krishtlindjes na shtyn t’ua kumtojmë të gjithëve praninë e Hyjit mes nesh”.


(24.12.2007 RV)RealAudioMP3 Ta pranojmë me gëzim dhuratën e Lindjes së Zotit e ta kumtojmë me shpresë praninë e Hyjit mes nesh: për këtë i nxiti Papa besimtarët në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, në të Dielën IV të Kohës së Ardhjes. Duke parashijuar gëzimin e Krishtlindjes, Benedikti XVI nënvizoi se çdo i krishterë është i thirrur ta komunikojë shëlbimin që i është dhuruar.
“Çdo i krishterë e çdo bashkësi kanë dëshirë ta ndajnë me të tjerët gëzimin e thellë që buron nga Lajmi i mirë i Lindjes së Krishtit: për këtë i fton Papa të gjithë besimtarët, duke u kujtuar se ky është kuptimi i vërtetë i Krishtlindjes, që duhet ta rizbulojmë e ta rijetojmë thellësisht vit për vit. Në errësirën e natës – vijoi Papa – do të mblidhemi për të kremtuar misterin e madh të dashurisë, që nuk pushon kurrë së na mahnituri. Hyji bëhet Biri i njeriut, që ne të bëhemi bij të Hyjit! Gjatë Kohës së Ardhjes – reflektoi Ati i Shenjtë - nga zemra e Kishës u lartua shpesh lutja: “Eja, o Zot, e na vizito me paqen tënde, me praninë tënde që do të na mbushë me gëzim!”.
Misioni ungjillëzues i Kishës i përgjigjet britmës: “Eja, o Zot Jezus!”, që përshkon gjithë rrugën e shëlbimit e vijon të lartohet nga buzët e besimtarëve. Eja, o Zot, për t’i shndërruar zemrat tona; eja, që në botë të përhapen drejtësia e paqja”.
E këtu Benedikti XVI kujtoi rëndësinë e propozimeve të Notës doktrinore mbi disa aspekte të ungjillëzimit, publikuar kohët e fundit:
“Dokumenti ka për qëllim t’u kujtojë gjithë të krishterëve – në një situatë në të cilën shpesh deri shumë besimtarë nuk e kanë të qartë se duhet ungjillëzuar – sepse pranimi i Lajmit të Mirë të fesë, na shtyn vetvetiu ta komunikojmë shëlbimin që e morëm dhuratë”.
E Vërteta shpëtimtare, që u bë njeri në Jezusin - vijoi Ati i Shenjtë – ndez në zemrën e atij që e pranon, dashurinë për të afërmin dhe dëshrën për t’ia dhuruar edhe të tjerëve dhantinë e marrë falas”. Më pas Shenjtëria e Tij pohoi se ta ndjesh praninë e Hyjit, që lind mes nesh, është një dhuratë e paçmuarshme. Fjalë, këto, që u pasuan nga një thirrje e fuqishme drejtuar mbarë besimtarëve:
S’ ka gjë më të bukur, më urgjente e më të rëndësishme se t’ua dhurosh përsëri falas njerëzve, atë që e kemi marrë falas nga Hyji! Asgjë nuk mund të na e shkarkojë ose të na e lehtësojë këtë barrë të rëndë e të mrekullueshme. Gëzimi i Krishtlindjes, që tashmë po e shijojmë, në sa na mbush me shpresë, na shtyn edhe t’ia kumtojmë të gjithëve praninë e Hyjit mes nesh”.
Model i pakrahasueshëm i ungjillëzimit është Virgjëra Mari, e cila nuk i përcolli botës një ide, por Jezusin, Fjalën e mishëruar – theksoi Papa e në vijim iu lut Zojës së Bekuar ta ndihmojë Kishën për ta kumtuar edhe në kohën tonë Krishtin Shëlbues”.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke përshëndetur shtegtarët në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë besimtarët t’i jetojnë plot gëzim këto ditë:
I uroj të gjithë t’i jetojnë festat e afërta në dritën e në paqen që burojnë nga Krishti Shëlbues. Gëzuar Krishtlindjen!







All the contents on this site are copyrighted ©.