2007-12-23 14:57:31

Udhës së Betlehemit.


(23.12.2007 RV)Të dashur miq që na ndiqni: rubrika radiofonike ‘Udhës së Betlehemit’ po i afrohet fundit, ashtu si edhe rruga që bëmë së bashku. Nesër mbrëma është Nata e Krishtlindjes e të gjithë besimtarët katolikë përgatiten për t’u takuar me Zotin në mesnatën e qetë, kur Krishti lind në shpellë e ndër zemra. Por, a e dini se kur filloi të kremtohej Mesha e Mesnatës së Krishtlindjes?
 
Si për çdo festë të madhe, për Krishtlindje kremtohen tri Meshë: ajo e Mesnatës, e Agimit dhe e Ditës.
Mesha e Mesnatës duhet të ketë filluar të kremtohet shumë heret.
Mendohet se për herë të parë u kremtua në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë, ndërsa Mesha kryesore e agimit dhe e ditës, janë kremtuar gjithnjë në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Mesha e parë e Mesnatës u vendos të kremtohet në Bazilikën e lashtë kushtuar Nënës së Krishtit, sepse atje që në kohën e Sikstit të III ( 432 -440 ) qe ngritur një kapelë e posaçme, stolisur me një afresk që paraqiste lindjen e Krishtit në Betlehem.
Meshët festive të mesnatës kremtohen në të gjitha Kishat katolike të botës, që lartohen në qendra metropolesh e në maja malesh, ku mund të arrihet vetëm nëpër shtigje dhish e ku ngjiten përvit barinj të vërtetë me pishtarë në duar, për të pritur ardhjen e Shëlbuesit të botës e për të kënduar së bashku me engjëjt: “Lavdi i qoftë Zotit në qiell e paqe në tokë njerëzve që ai i do!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.