Krishtlindja në reflektimin e kardinalit Frensis Arinze, prefekt i Kongregatës për
kultin hyjnor dhe disiplinën e sakramenteve.
(23.12.2007 RV)Në prag të Krishtlindjes,
i kërkuam kardinalit Arinze, prefekt i Kongregatës për kultin hyjnor dhe disiplinën
e sakramenteve, një reflektim për dëgjuesit tanë, që të përgatiten sa më krishterisht
për ta pritur Solemnitetin e madh.
Pyetje: - Hirësi, nesër është Nata
e Lindjes së Zotit: si ta përgatisim zemrën për një festë kaq të madhe?
Përgjigje:
- Feja jonë na ndihmon të shohim se ai që po vjen është Biri i Hyjit. Hyj prej
Hyji, dritë prej drite, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë; është Hyj që, kur përmbushën
kohët, merr natyrën njerëzore për shëlbimin tonë e lind në Betlehem nga Virgjëra Mari.
Gjithë kjo do të thotë Lindje e Shëlbuesit. Për Krishtlindje fillon misteri i shëlbimit
e prandaj duhet t’i përgatisim zemrat për arritjen e Shëlbuesit, që do të vijë rishtas
në mbarimin e botës, por që tashmë ka ardhur në Betlehem: këtë kremtojmë për Krishtlindje,
Birin e Hyjit që lind si njeri.
Pyetje: - Thua ka edhe sot rrezik
që të krishterët të sillen si banorët e Betlehemit, ku s’u gjet asnjë shtëpi për t’ia
hapur portat Hyjit që vjen?
Përgjigje: - Ky rrezik është i mundshëm.
Ka shumë njerëz që, kur flitet për Krishtlindjen, mendojnë të shkojnë në det, në se
nuk është ftohtë; në mal, në se bie dëborë, ose të vizitojnë ndonjë muze, të hanë
ca dreka të mira, që zgjatin nga tri orë, gjatë të cilave shijohen së paku 12 lloje
gjellësh. Por edhe të vizitojnë miqtë apo të çlodhen në familje duke shkëmbyer edhe
dhuratat e festës. Të gjitha këto sigurisht janë punë të këndshme, por nuk kanë të
bëjnë me zemrën misterit. Kryesore është t’i bëjmë vend Jezusit. Si mund të ketë Krishtlindje
pa Krishtin? Prandaj, në radhë të parë, duhet të takohemi me Jezusin në sakramentin
e Eukaristisë, pasi të jemi përgatitur me një rrëfim të mirë. Kisha e porosit meshtarin
ta kremtojë Meshën Shenjte tri herë; në mesnatë, në agim e pastaj edhe gjatë ditës.
Ka shumë rëndësi ta marrësh Krishtin në zemër në të Shenjtnueshmin Sakrament, por
edhe të lexosh shkrime të përshpirtshme, të bësh pushim shpirtëror. Nuk duhet mbushur
kjo ditë me nxitim e me zhurmë. Pa dyshim nuk duhen harruar edhe vizitat në shtëpitë
e miqve e të familjarëve: është një përmasë e rëndësishme.
Pyetje: -
Si mund ta kumtojmë e ta dëshmojmë sot Krishtlindjen?
Përgjigje: -
Jezusi vjen të na shëlbojë. Vjen të na çlirojë nga mëkatet tona e secili nga ne mund
e duhet të bëjë rrëmimin e ndërgjegjes së vet lidhur me familjen, me vendin e punës,
me lagjen e me gjithë shoqërinë, për të kujtuar në se duhet të pajtohet me ndokënd,
sepse koha e Krishtlindjes është koha më e përshtatshme për të falur e për të krijuar
atmosferë plot harmoni. Secili nga ne, në sa mendon t’i bëjë dhurata familjarëve e
miqve, nuk duhet t’i harrojë të varfërit, të pastrehët, ata që s’kanë ç’të hanë,
që s’kanë punë, ose që kremtojnë vetëm, larg vatrave të tyre, sepse janë detyruar
të emigrojnë. Kjo është kohë për solidaritet, sepse shpirti i Krishtlindjes është
pikërisht dashuria, bamirësia, solidariteti ndërmjet të gjithë njerëzve vullnetmirë.
Solidariteti nuk është fjalë boshe, është dashuri në emër të Krishtit. Krishtlindja
na fton të gjithëve t’ia dëshmojmë dëshirën për harmoni e dashurinë e krishterë mbarë
njerëzve e, prej këndej, të krijojmë atmosferë drejtësie e paqeje.
Pyetje:
- Akoma sot, në Mijëvjeçarin e Tretë, shumë të krishterë e jetojnë Krishtlindjen
me frikë e pa liri, në gjendje lufte ose mjerimi...
Përgjigje: - Për
fat të keq, ashtu është. Ati i Shenjtë Benedikti XVI na dhuroi një Enciklikë, në të
cilën na kujton se është shpresa ajo që na shpëtoi, shpresa që ka në qendër Krishtin,
sepse është Krishti që na jep përsëri fe e në Të mësojmë të falim, t’i pranojmë të
tjerët, të respektojmë të drejtat e të tjerëve. Secili nga ne mund të bëjë diçka.
Natyrisht nuk mund të jemi të gjithë presidentë a kryeministra, por sigurisht një
farë rëndësie e kemi për familjen tonë, diçka duhet të vlejmë në vendin ku punojmë.
E kudo jemi, duhet të krijojmë atmosferën e miqësisë, të pranimit të tjetrit, të
drejtësisë e të paqes. Krishti Fëmijë në Betlehem u sjell paqe të gjithë njerëzve
vullnetmirë.
Pyetje: - Një urim për Krishtlindje...
Përgjigje:
- Uroj që të gjithë dëgjuesit e të gjithë miqtë, ta kalojnë Krishtlindjen me drejtësinë
e gëzimin, që vetëm Zoti di ta japë; uroj kohë të qetë e kremtime me pjesëmarrje të
thellë shpirtërore, pa harruar edhe anën njerëzore e shoqërore.