2007-12-21 18:44:10

Udhës së Betlehemit


(21.12.2007 RV)RealAudioMP3 Titullohet "Ndërmjet historisë e letërsisë’ emisioni i sotëm i rubrikës ‘Udhës së Betlehemit’. Po ju flasim për pasqyrimin e historisë së Bredhit të Krishtlindjes në letërsinë botërore, në sa kjo udhë, në të cilën ecëm së bashku që nga fillimi i Kohës së Ardhjes, po i afrohet cakut: “Shpellës së Betlehemit” e mesnatës së 24 dhjetorit, kur Krishti do të lindë rishtas në shtëpitë e në zemrat tona.

 
Profesor Fabio Fabiani, mjek i mirë e shkrimtar i kulturuar, në librin e tij ‘Historia e Bredhit të Krishtlindjes’ shënon se Bredhi i solemnitetit duket në letërsi duke nisur nga shekulli XVIII. Autori i parë i rëndësishëm, që e përshkruan, është Johann Wolfgang Goethe (1749-1832) (Johan Volfgang Gëte) në romanin e tij të famshëm, ‘Die Leiden des jungen Werther’ (Vuajtjet e djaloshit Verter), botuar në vitin 1774. Aty nga fundi i romanit, më datën 20 dhjetor, heroina e veprës, Lote, përgatit dhuratat për të vegjëlit. Është e diela para Krishtlindjes e Verteri, që shkon ta takojë, flet për kohën e lume, kur hapja e papritur e një porte përballë Bredhit të Krishtlindjes, zbukuruar me qirinj, ëmbëlsira e mollë, e rrëmben njeriun dhe e bën të jetojë disa çaste ekstaze gazmore.
Edhe Johan Christoph Friedrich Schiler (1759-1805) (Johan Kristof Friedrih Shiler) në veprat e tij flet për Bredhin e Krishtlindjes. Kjo na siguron se në këtë kohë, në të gjithë Gjermaninë, ishte zakon që për Krishtlindje të stoliseshin bredhat e festës.
Në vitin 1798, poeti i madh anglez, Samuel Taylor Coleridge (Semjuel Tajlor Kolerixh), autor i ‘The Rime of the Ancient Mariner’ (The raim of einsent mërine) , pasi kishte kaluar Krishtlindjen në Gjermani, në një letër drejtuar njërit nga miqtë, përshkruan bukurinë mahnitëse të bredhave plot drita, që i kishte parë nëpër shtëpitë e banorëve vendas.
Në vitin 1848, Fedor Dostojevski botoi, në fletën e shtatorit të Otecestvennye Zapiski, tregimin e tij të njohur ‘Bredhi i Krishtlindjes’.
Charles Dickens (Çarl Dikens) në vitin 1850 u tregonte lexuesve të vet në një revistë, mrekullitë e Bredhit të Krishtlindjes, të ngarkuar me dritëza. Veprave të këtyre shkrimtarëve të famshëm, profesor Fabiani u shton edhe tregimin ‘Gjyshja’, shkruar nga Bozhena Nemcova, botuar në Paris, në të cilin flitet për Bredhin e Krishtlindjes në Çekosllovaki. E, së fundi, nuk duhet të harrojmë kurrsesi “Bredhin e Krishtlindjes” dhe ‘Shitësen e vogël të shkrepëseve’ të Hans Kristian Andersenit.







All the contents on this site are copyrighted ©.