2007-12-21 18:46:11

Rusia vendos dy kushte për misionin evropian në Kosovë


(21.12.2007 RV)Përvijohet një datë e mundshme për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Sipas gazetës kosovare “Koha Ditore”, perëndimi i ka kërkuar Prishtinës të presë derisa të zhvillohen zgjedhjet presidenciale në Serbi e më pas të mendojë për pavarësinë. Gjithashtu, politikanët Fatmir Limaj e Veton Surroi japin si afat vetëm pak javë e deklarojnë për një Forum në Maqedoni se data dihet, por mbahet sekret për shkak të marrëveshjes me perëndimorët.
Ndërkaq, Rusia vë pengesa të tjera në rrugën e Prishtinës drejt pavarësisë. Sipas ministrit të jashtëm Sergei Lavrov, administrimi i Kosovës mund të kalojë në duart e Bashkimit Evropian vetëm nëse plotësohen dy kushte. Së pari, kjo duhet përcaktuar me një rezolutë të veçantë të OKB-së, që respekton rezolutën 1244 e, së dyti, kalimi i pushtetit në Bruksel duhet pranuar nga Serbia.

Ministri i mbrojtjes së Serbisë, Dragan Sutanovac përjashton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë në rast të shpalljes së pavarësisë së njëanshme. Duke folur në një emision televiziv, Sutanovac deklaroi hapur se Beogradi nuk ka forcat dhe mbështetjen për këtë, pra nuk mund të përballojë një reagim nga NATO-ja e KFOR-i.
Ndërkaq, Serbia përgatitet për zgjedhjet presidenciale. Partia Demokratike i ka dorëzuar sot zyrtarisht Komisionit Zgjedhor kandidaturën e Boris Tadiçit, presidentit aktual. Kandidaturat e tjera janë ajo e zv.kryetarit të Partisë Radikale, Tomisllav Nikoliç dhe e liderit të Partisë Liberale Demokratike, Çedomir Jovanoviç.







All the contents on this site are copyrighted ©.