2007-12-21 18:43:59

Presidenti francez Sarkozì u intervistua nga Radio Vatikani dhe nga L'Osservatore Romano.


(21.12.2007 RV)RealAudioMP3 Franca nuk duhet t’i harrojë kurrë rrënjët e veta të krishtera e duhet ta shikojë të ardhmen plot shpresë: ky është një nga fragmentet që spikat më shumë në fjalimin e presidentit francez Nikolas Sarkozì, mbajtur dje në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran:
Les racines de la France sont essentiellement chrétiennes…
“Rrënjët e Francës janë thelbësisht të krishtera” – pohoi Presidenti francez, e më pas nënvizoi se feja e krishterë ka hyrë në thellësi të shoqërisë, të kulturës e të mënyrës së jetesës të popullit francez. Njëkohësisht – shtoi ai - laiciteti është fakt i pandryshueshëm në Francë, pas miratimit të Ligjit të 1905-sës mbi karakterin laik të shtetit. E megjithatë - vijoi të theksonte Sarkozì – laiciteti nuk ka fuqi t’i presë rrënjët e krishtera të Francës. Është munduar ta bëjë, ndonëse nuk duhet ta kishte provuar”.
Comme Benoî XVI, je considère qu’une nation…
“Ashtu si Benedikti XVI – pohoi Sarkozì – mendoj se një komb që e injoron trashëgiminë etike, shpirtërore e fetare të historisë së vet, kryen krim kundër vetë kulturës së tij”. Në vijim Sarkozì foli për Enciklikën 'Spe salvi’ (Me shpresën shpëtuam). Sigurisht – sqaroi – kush nuk beson, duhet mbrojtur nga çdo formë e intolerancës, ndërsa ai që beson, edhe shpreson, e është në interes të Republikës të ketë sa më shumë burra e gra që shpresojnë”.
Or, longtemps, trop longtemps, la République laïque…
“Për shumë kohë, tepër shumë - reflektoi presidenti francez – Republika laike e nënvleftësoi rëndësinë e aspiratave shpirtërore. E akoma sot Republika i mban kongregatat fetare nën një formë mbikqyrjeje. Kjo situatë është e dëmshme për Francën. Shkretëtira shpirtërore e lagjeve të jashtme, mungesa e meshtarëve, nuk e bënë Francën më të lumtur. Sarkozì vuri theksin mbi laicitetin pozitiv, që nuk e konsideron fenë rrezik, por dobi. Lavdëroi, në vijim, rolin e katolikëve, rregulltarëve e laikëve, që impenjohen në veprimtari bamirëse, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e në dialogun ndërfetar.

Para ceremonisë në Lateran, presidenti francez i dha një intervistë Radio Vatikanit, Osservatore Romanos dhe Qendrës Televizive Vatikanase, duke theksuar posaçërisht emocionet e tij gjatë takimit me Benediktin XVI:
 Elle est importante parce que le Pape est un chef d’État,…
Takim i rëndësishëm, sepse Papa është kryetar shteti, Papa është udhëheqës fetar e unë e ndjej veten katolik me traditë e me zemër. Është autoritet botëror, shpirtëror e, për mua, është një takim i ndryshëm nga takimet me krerët e tjerë të shteteve. Ka një përmasë shpirtërore, mishëron një mesazh paqeje, shprese e pajtimi, për të cilin ka aq shumë nevojë bota e sotme, e trazuar nga përçarjet, nga ndeshjet e nga keqkuptimet. E pastaj takimi me Papën ishte jashtëzakonisht i përzemërt. Është njeri me kulturë të madhe, njeri zgjuar, njeri që di të dëgjojë, që ka përvojë të madhe, të cilit mund t’i flasësh me çiltërsi; e i tillë ishte edhe bisedimi ynë.








All the contents on this site are copyrighted ©.