2007-12-21 18:43:31

Benedikti XVI kujton, me Kurien Romake, ngjarjet kishtare të 2007-tës: kumtimi i Ungjillit e shëron njerëzimin nga plagët e shekullarizimit.


(21.12.2007 RV)RealAudioMP3 Një vështrim mbi ngjarjet që, në dymbëdhjetë muajt e 2007-tës, i shtuan një vit të ri historisë së Kishës dhe misionit të saj në botë nën ‘presionin’ e ideologjive e të shekullarizimit. Ky ishte thelbi i fjalimit të gjatë që Benedikti XVI i drejtoi sot paradite Kuries Romake, në audiencën tradicionale për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes. Të ndjekim përmbledhjen e fjalimit:
Një pjesë e njerëzimit e ka harruar premtimin e Krishtit: “Ja, unë jam me ju çdo ditë, deri në fund të fundit të botës”. E ka flakur larg ndërgjegjes, duke u joshur nga forcat e shekullarizimit dhe nga supozimet ideologjike, të interesuara për ta zëvendësuar praninë e Hyjit në zemrën e njeriut e të botës, vetëm me arsyen. Pikërisht këtyre shmangieve u kundërvihet çdo ditë e çdo vit Kisha, me veprimtarinë e saj si lajmëtare e Ungjillit dhe e paqes, të cilën e solli dymijë vjet më parë një Hyj, që u bë foshnjë. Për këtë veprimtari apostolike dhe për gëzimin që e shoqëron foli Benedikti XVI, duke përshkruar faktet dhe përvojën e vitit 2007: nga shtegtimi në Brazil, tek ai në Austri, nga letra drejtuar Kishës kineze, në përgjigjen dhënë Letrës së liderëve myslimanë. Fakte të shoqëruara me pyetje-përgjigje, që kanë të bëjnë me atë që ndodh në shpirtin e njeriut, i cili arrin të takojë Zotin. Shembulli i parë, mbrëmja që kaloi Papa me të rinjtë brazilianë në stadiumin ‘San Paolo’, gjatë vizitës së tij në Brazil. Ja si i kujtoi Benedikti XVI këto orë:
“Ekzistojnë manifestime masive, të cilat kanë vetëm efektin e vetafirmimit; në to njeriu dehet nga ritmi e nga tingujt, duke e gjetur gëzimin vetëm tek vetvetja. Atje, përkundrazi, të rinjtë hapën shpirtin e ndërmjet nesh u ndje spontanisht atmosfera e bashkimit, atmosferë e qenies së njërit me tjetrin, që solli me vete qenien e njërit për tjetrin. Nuk ishte arratisje nga jeta e përditshme, por shndërrim në forcë për ta pranuar jetën në një mënyrë të re”.
Kjo është larmia e krishterë. Një turmë e pushtuar nga entuziazmi, që bëhet përvojë e gjallë e bashkimit” – tha Papa – dhe në vijim kujtoi shumë çaste të tjera prekëse të vizitës së tij në Brazil, si shenjtërimin e Fra Galvaos, vizitën në ‘Fazenda da Esperansa’ takimin me ipeshkvijtë e Brazilit në katedralen e Shën Palit dhe hapjen e Konferencës së Aparesidës – të gjitha çaste që mbetën të paharrueshme në kujtesën e Papës, shoqëruar nga një pyetje që ka vlerë sa për Kishën latinoamerikane, aq edhe për atë universale: “A është e drejtë që Kisha të mendojë për çështje shpirtërore, ndërsa historia i troket në portë, duke kërkuar paqe e drejtësi? Me fjalë të tjera: a është akoma e drejtë të ungjillëzosh? E këtu Benedikti XVI ripohoi edhe një herë parimet-bazë të magjisterit të tij: Bota ka nevojë për vërtetësi e për dashuri, jo të para si deklarata abstrakte, por si fryt i takimit, të gjallë e jetëdhënës me Krishtin:
“Krishti nuk mund të njihet kurrë vetëm teorikisht. Mund të kesh njohuri të plota mbi Shkrimin Shenjt, e Atë të mos e kesh takuar kurrë(…). Katekizmi nuk mund të jetë thjeshtë mësim intelektual, duhet të bëhet gjithnjë praktikë e bashkimit të jetës me Krishtin, përpjekje për t’u ushtruar në humanitet, në drejtësi e në dashuri”.
Prej këndej Papa theksoi se Krishti nuk duhet mbajtur për vete, por duhet kumtuar. E pikërisht këtij kumtimi- vijoi Ati i Shenjtë - Kisha i kushtohet me të gjitha energjitë e veta sepse, ashtu si Shën Pali, ndjen një nevojë të pakundërshtueshme për ta shpallur Ungjillin.Kisha - vijoi Ati i Shenjtë - beson edhe në bashkëpunimin e të gjitha feve që e kanë për zemër paqen në botë. Një dëshmi e këtij impenjimi është përgjigja që Papa i dha Letrës së 138 liderëve myslimanë:
”U përgjigja me gëzim, duke shprehur pëlqimin tim e njëkohësisht duke nënvizuar urgjencën e një impenjimi të përbashkët për mbrojtjen e vlerave të respektit reciprok, të dialogut e të bashkëpunimit. Besimi i përbashkët në një Zot të vetëm, Krijues e Gjykatës universal i sjelljeve të secilit nga ne, është parakusht i veprimtarisë së përbashkët për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu e për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më solidare”.
E kjo dëshirë për dialog u bë shkas për të shkruar një faqe historie, përmes faqeve të Letrës së Papës drejtuar katolikëve të Kinës.
Benedikti XVI kujtoi edhe shtegtimin e mrekullueshëm në Austri, vizitën në Loreto e në Napoli.
Papa e mbylli fjalimin drejtuar Kuries Romake, që e quajti ‘bashkësia e tij e punës”, duke shprehur mendimin e fundit plot realizëm për botën e sotme e jo më pak, me besim për të ardhmen:
“Sigurisht nuk duhet t’ia bëjmë qejfin vetes: problemet që krijon shekullarizmi i kohës sonë dhe presionet e ideologjive drejt të cilave priret ndërgjegja shekullaristike me kërkesën ekskluzive për racionalitetin përfundimtar, nuk janë të vogla. Ne e dimë dhe e njohim sa e lodhshme është lufta që na imponohet në këtë kohë. Por dimë edhe se Zoti e mban premtimin e tij: “Ja, unë jam me ju çdo ditë, deri në fund të fundit të botës!”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.