2007-12-19 17:20:58

Udhës së Betlehemit.


(19.12.2007 RV)RealAudioMP3 Të dashur miq, po vijojmë rubrikën tonë ‘Udhës së Betlehemit’ duke kaluar nga Shpella ku lindi Krishti, për të cilën folëm në emisionet e kaluara, tek tradita e Bredhit të Krishtlindjes. Natyrisht pyetja e parë që na lind është: “Cila është zanafilla e Bredhit të Kërshndellave?”:
Zanafilla duhet kërkuar në kohë tepër të lashta, parakristiane, por dokumentet historike për Bredhin, kështu si e shohim dhe e stolisim sot, duken vetëm në shekujt e vonë. Nuk ka dyshim se legjendat dhe traditat na flasin për zakone të ndryshme, disa të lindura jashtë kulturës kristiane, të tjera, lidhur ngushtë me të. Po kujtojmë më të rëndësishmet:
Që në kohë shumë të lashta ishte zakon që në një ditë të caktuar të mbushej shtëpia me pemë gjithnjë të blerta e të lulëzuara, duke i parë si sende me vlerë magjike e fetare. Grekët e romakët i stolisnin shtëpitë me dredhëza; keltët e skandinavët pëlqenin më shumë veshtullën e, vise të tjera, larin ose degët e pishës e të bredhit. Këtë stolisje e bënin më shumë banorët e vendeve veriore me klimë të ftohtë, me dimra të gjatë e të zymtë, gati-gati si të donin t’i jepnin gjallëri jetës së përgjumur, për ta mbajtur gjallë deri në pranverë, kur do të zgjohej rishtas. E nuk është e rastit që në këto kohë të mugta njerëzit e lashtë i ngritën tempuj perëndeshës Flora - dmth perendeshës së luleve.
Asokohe, një herë në vit, digjej një bredh, si simbol i dukjes mbi tokë të një drite të jashtzakonshme. Ky rit ndoshta ka të bëjë me profecitë mesianike, ose me festën pagane të diellit së cilës, në kristianizëm, ia zuri vendin 25 dhjetori, festa e madhe e lindjes së Diellit më të ndritshëm që njeh njerëzimi, Shëlbuesit të botës. Më pas, në vend që të digjej, bredhi nisi të stolisej.
Në Shqipëri gjithashtu ka ekzistuar zakoni i djegies së dëllinjave, që kërcisnin në zjarr, me kuptimin simbolik të djegies së shejtanit.
Edhe Bredhi i Krishtlindjes, si simbol i krishterë, e ka origjinën në vendet Verievropiane. Me sa duket, lidhet me shfaqjet kishtare, të cilat organizoheshin për festën e Adamit e të Evës, që në Gjermani kremtohej më 24 dhjetor. Bredhi, degët e të cilit zbukuroheshin me fryte simbolike, konsiderohej si Pema e së mirës dhe e së keqes, vendosur në zemër të Parrizit. Duhet kujtuar se në ato kohë populli nuk dinte të shkruante, as të lexonte. Prandaj Kisha organizonte shfaqje teatrore kishtare, me tematikë nga Bibla e nga Ungjilli, që luanin rolin e një katekizmi të inskenuar. Shfaqje të tilla nisën të jepen edhe për Solemnitein e Krishtlindjes, duke ngritur Bredhat e parë, simbol i Pemës së Parajsës, prej nga djalli, me pamjen e gjarpërit, e gënjeu Evën e ajo hëngri mollën e ndaluar, duke ia dhënë më pas edhe Adamit. Pema e Krishtlindjes, pra, duhet të ishte druri i mollës, por me që një dru i tillë në dimër është i zhveshur, u zevendësua me Bredhin gjithnjë të gjelbërt. E për të kujtuar mollën biblike, në degët e bredhit vareshin fryte molle, ndërsa për të kujtuar Shëlbimin, shtoheshin edhe biskota në formë hostesh si dhe ëmbëlsira e dhurata të të tjera për fëmijët. Prej këndej vendosja e dhuratave poshtë Pemës së Krishtlindjes. Më vonë, në maje të pemës, u shtua edhe Ylli - kometa që u priu Tre Mbretërve drejt shpellës, ku ishte mishëruar Zoti. Kështu Bredhi u bë shenjë nderimi në kujtim të dhuratës së madhe që na bëri Zoti, duke lindur mes nesh si njeri i thjeshtë, i varfër.








All the contents on this site are copyrighted ©.