Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Anastasin, Papë.
(19.12.2007 RV)Anastasi I u ul në katedrën e Shën Pjetrit më 27 nëntor 399.
Libri i Papëve e paraqet me origjinë romake. Dimë se i jati quhej Maksim, se luftoi
me energji donatizmin në provincat veriore të Afrikës e se ratifikoi vendimet e Koncilit
të Toledos të vitit 400, gjatë të cilit disa ipeshkvij galicianë, që kishin dënuar
Prishilianin, mbetën në detyrën e tyre, të mbrojtur nga Papa Anastasi. Ky Papë
pati shpirtin e mbrojtësit të madh e guximtar të Kishës kundër të gjithë armiqve të
saj. Kështu kujtojmë se luftoi edhe kundër arianizmit dhe mbrojti me guxim të drejtat
e Ilirikut për të mbetur i lidhur me Kishën perëndimore. Duhet, pra, t’ia dijmë për
nder, në se feja katolike romake mbeti gjallë në ato vise, që shumë më vonë do të
quheshin Shqipëri veriore. Anastasi I njihet edhe për masat që mori kundër pranisë
së manikejve në Romë si dhe për ndërtimin e Bazilikës romake Kreshenciana (aktualisht
e Shën Sikstit). Bashkëpunoi ngushtësisht me Shenjtin ilir, Jeronimin si dhe me Shën
Paolinin nga Nola. Pati letërkëmbim të dendur me të gjitha personalitetet e kohës,
por nga letrat e tij fatkeqësisht shumë pak kanë arritur deri në ditët tona. Vdiq
pas një papnie të shkurtër, por shumë aktive, më 19 dhjetor të vitit 401. U varros
në një varr monumental pranë bazilikës së Shën Kandidës. Shën Jeronimi, që pati një
nderim të jashtzakonshëm për Shën Anastasin, shkroi se ai vdiq tepër shpejt, sepse
provania Hyjnore nuk deshi që një ipeshkëv kaq i madh, të ishte dëshmitar i rënies
së Romës. Kujtojmë se Roma ra në duart e mbretit barbar, Alarikut, në vitin 410.