2007-12-19 17:05:46

Mesazhi i Krishtlindjes i patrikut të Jeruzalemit Sabah.


(19.12.2007 RV)Sot patriku i Jeruzalemit të Latinëve, Mishel Sabah, i transmetoi botës mesazhin tradicional për solemnitetin e Krishtlindjes.
E kremtojmë Krishtlindjen me gëzimin, që bazohet mbi shpresën se Zoti do të na sjellë ditë më të mira, duke dhënë kontributin tonë në të gjitha fushat e jetës publike, pa e kursyer veten edhe atëherë kur duhet të flijohemi. Kështu përtërijmë fenë në Atë, të cilit i besuam, në Fjalën e Hyjit që u bë njeri, në Jezusin e lindur në Betlehem, Princin e paqes e Shpëtimtarin e njerëzimit- shkruan patriku e më pas përshkruan vështirësitë e panumërta e të përditshme që kalon Toka Shenjte, e cila jeton në një atmosferë pasigurie e pushtimi.
Ndonëse paqja duket e pamundur, Patriku shpreh besimin e plotë se izraelitët e palestinezët mund të jetojnë së bashku në paqe, secili në trojet e veta. Patriku thekson me forcë se në Tokën, që është e shenjtë për tre besime e për dy popuj, nuk mund të krijohen shtete fetare, sepse njëri do të përjashtonte tjetrin ose do të krijonte kushte poshtëruese për tjetrin. Ndërsa shenjtëria e këtyre trojeve e thirrja e tyre universale kërkojnë të respektohen të gjitha fetë e të mirëpriten të gjithë shtegtarët që vijnë nga të katër anët e botës. Prandaj, në përfundim të mesazhit, ngarkuar me problemet e mprehta të tokës ku lindi Jezusi, patriku Mishel Sabah uron që Zoti t’ua shndrisë mendjet atyre që e qeverisin këtë tokë e t’i ndihmojë të gjithë për ta kremtuar gëzueshëm Festën e madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.