2007-12-18 17:28:37

Shenjti i ditës: Shën Malakia Profet.


(18.12.2007 RV)Libri i Malakisë Profet mbyll, në Besëlidhjen e Vjetër, serinë e profetëve të vegjël. Prandaj Malakia njihet edhe me emrin “Vula e Profetëve”.
Pak e aspak dihet për jetën e tij: dimë se ishte nga fisi i Zabulonit, se lindi në Sofa e se jetoi pas mërgimit babilonez, gjatë sundimit persian. Libri i tij trajton problemet morale të bashkësisë hebraike, të cilën e nxit të pendohet.Simbolik fakti se versetet e fundme të Librit të tij, flasin për një lajmëtar të Zotit, dërguar për të rivendosur marrëdhënie të drejta ndërmjet Hyjit e popullit të tij. Është një profeci mesianike, që lind në zemrën e historisë së Izraelit, por që nuk kufizohet në rrethanat që e lindën. Malakia jetoi disa dekada pas rindërtimit të Tempullit, që duhet të jetë kryer rreth vitit 520 para Krishtit, pas kthimit të hebrenjve nga mërgimi. Në këtë periudhë patën profetizuar Agjeu e Xakaria, të cilët i patën ftuar njerëzit të shikonin përpara, sepse rikthimi i ritit templar shpesh dukej sikur e kishte humbur shpirtin e vet të vërtetë: kremtimin e dashurisë së Hyjit që vepron në histori. Zëri i Malakisë ngrihet për t’i qortuar besimtarët për humbjen e interesit ndaj besimit, për vlerësimin e sjelljeve të jashtme, për largimin nga Hyji e për padrejtësitë e panumërta. Profeti shenjt i fton të gjithë të përgatiten për takimin me Zotin. Kumt tepër aktual, për këtë periudhë të Kohës së Ardhjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.