2007-12-18 17:55:07

Konferenca e Parisit: 7,4 miliard dollarë për palestinezët


(18.12.2007 RV)Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs ndodhet në Bagdad, ku mbërriti pas një vizite të papritur në Kirkuk. Ajo është takuar me presidentin irakuan Zhalal Talabani. Ky i fundit është njëkohësisht edhe përfaqësues i kurdëve, territori i të cilëve është këto ditë nën sulmin e aviacionit turk, që përpiqet të zhdukë pozicionet e militantëve të Partisë së Punës së Kurdistanit. Sipas një denoncimi të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, 300 familje, gjithsej 1.800 vetë, janë detyruar të largohen nga zona për shkak të bombardimeve. Qeveria rajonale e Kurdistanit irakian i ka urdhëruar peshmergët, ushtarët e vet, që të marrin pozicion mbrojtjeje.

Konferenca e Parisit për Lindjen e Mesme arriti të dhurojë 7,4 miliard dollarë për palestinezët. Faktikisht, shuma është shumë më e madhe se 5,6 miliardët e kërkuar nga presidenti Abu Mazen për të shpëtuar nga “katastrofa e përgjithshme”, siç e pati quajtur ai. Në krye të listës së donatorëve, Bashkimi Evropian, SHBA-të dhe Arabia Saudite. Ndërkaq, në terren, forcat izraelite kanë filluar një ofensivë kundër Xhihadit islamik, duke vrarë 10 eksponentë të tij. Grupi fondamentalist ka kërcënuar se do të hakmerret.







All the contents on this site are copyrighted ©.