2007-12-17 17:54:10

Udhës së Betlehemit


(17.12.2007 RV)RealAudioMP3 Të dashur miq, po vijojmë rubrikën tonë ‘Udhës së Betlehemit’ e cila sot, na çon simbolikisht në thellësi të traditës së kombit shqiptar, kur kalohej nga paganizmi në krishtërim e Nata pagane e Buzmit bëhej Nata e Sh’Këndellës- Nata e lindjes së Krishtit, që vjen për të kndellë gjithçka. Ta jetojmë simbolikisht së bashku për disa çaste ‘Natën e Buzmit’ e brohorinë e saj: “Po vjen buzmi bujar me dushk e me bar, me gjâ e me mall e me gjith të mirat e Zotit!”.

Tri ditë mbassi të kthejë moti mbarë bjen kjo natë, në të cilën do të lutet shtëpi për shëpi të knellunt e jetës me nje ceremoni të veçantë për rreth buzmit bujar, mbas ritualit mâ të pastër, ruejtë ndër malet e Dukagjinit deri ndër ditë t’ona.
Asht nata e buzmit! Nepër të tana katundet e Shqipnís së Veriut duhet me djegë buzmat në ketë natë, ke fillon të knellunt e jetës së ré. Buzmat janë trí copa drû arre dy–vjeçe.
Paradite nje burrë shtëpije, mbassi të jét la shtetsh 1 , pse nuk bân me i nxjerrë buzmat pa u lám, shkon në mal për me i nxjerrë dhe i bjen te shtëpija. I pështetë përjashta murit të shtëpís në nji vend ku mos t’i prekë kerkush deri të vijë koha e darkës.
Kur të bâhet koha e darkës, i zoti i shtëpís gaton zjarmin e ri.
Dy burra tjerë dalin jashta shtëpije dhe i marrin ata buzma për dy skâjesh tue ndejë njâni mbas tjetrit e ashtu u ngjiten shkallvet deri te praku i derës. Aty i thrrasin të zotit të shtëpís, si t’ishin miq të largët: - O i zoti i shtëpìs! - Askush nuk u a dredhë gjegjen. Thrrasin së dyti; prap heshtim i plotë prej mbrendanit të shtëpís; kur të thrrasin së treti - Hojjaa! Përgjigjet i madhi i familjes prej së mbrendanit.
- Po vjen buzmi bujar me dushk e me bar, me gjâ e me mall e me gjith të mirat e Zotit!
- Mirë se u bjen Zoti ! Pastu prù ora me nafakë ! – pergjegjë i zoti i shtepís mbrendë.
Tue hym buzmi mbrendë, të gjith misat e shtëpís çohen në kambë; hjekin kapuçat, e ndërsa i zoti i shtepís njéh uratime, 2 dikush blegron si delme, tjetri virrë si dhì, kush pallë si lopë e kush brylekë si kau, fëmija ndjekin me zâ kingjat, edhat e viçat e vathit e kështu s’ prâjnë tue ndjekë me zâ të gjitha shtâzët shtëpiake deri sa të vendohen buzmat në zjarm prej të zotit të shtëpís, i cili me mâ të madhin nderim i mbulon me shpuzë zjarmi, tue i ruejtë mos të digjen skâjesh, pse ato una duhen nesër për me bâ lamin.
Atëherë ulet treveza e vihet pija; por përpara do të kryhet edhe një flijim i veçantë. Në nji quk 3 të zgavrruem manakali 4 në trup të buzmit, i zoti i shtëpís qet farën e të gjith sendit shka t’i prodhojë toka, tue i a lypë Zotit emën për emën me i a falë secilen farë qi qet n’atë gropëz. Atëherë merr gotën e rakís. Robët e shtëpís rrijnë gjithnji në kambë, ndersa i zoti i shtëpís me gotë të pijes në dorë kështu i falet buzmit bujar, ku kqyrin të gjith pjestarët e familjes: Të falemi buzmi bujar ! Unë po të falem me krezhmi; ti m’u fal me bulshí e me gjith të mirat e Zotit; ti me na i falë e me na i bâ nafakë ! - e gotën e parë i a derdh buzmit n’at quk. Mun në ketë kohë e zoja e shtëpís, qi gjindet në tjetrën anë të votrës, qet edhe kjo n’at vrimë të buzmit pak tlynë e pak djathë, tue i u lutë Zotit e buzmit me i a falë bylmetin shtëpís. Baríjt atëherë qesin përmbi buzma do pipa lejthije për mos me u dalë dybëza 5 dhivet.
Zjarmi do të ruhet gjith natën deri të bâhet lami, e askush s’do të frŷjë n’at zjarm, për mos me thyem era pemët në verë. Mandej ulen të gjith në tryezë për me darkuem.
Ne ketë natë, nuk ka shtëpí sado e vogël ajo të jét, qi nuk gaton fërlikun e buzmit – nji laknuer petash të grujta e arrash. – Para se me nisë bukën, i zoti i shtëpís i bjen lehtë me sup të krahut të majtë shoqit qi ka për brî, tue uruem me këto fjalë: Ar m’arë si duejt n’arë; e ashtu si janë të gjith rreth treveze përsërisin këto fjalë me rend, tue ndeshë shoqishojnë me supa të krahut. Si të kryhet e ndeshuna e parë, fillon prap i zoti i shtëpís, por në krah të djathët e vetëm mbassi të kryhet kjo ceremoní, hahet darka.
 Tregimi kushtuar ‘Natës së Buzmit’ u mblodh në Dukagjin nga Atë Bernardin Palaj, ofm







All the contents on this site are copyrighted ©.