2007-12-17 17:53:43

Në Paris, Konferenca e Donatorëve në ndihmë të palestinezëve


(17.12.2007 RV)Të mblidhen 5,6 miliard dollarë për t’ia dhënë Autoritetit Kombëtar Palestinez. Ky është objektivi që i ka vënë vetes Konferenca e Donatorëve, që u hap sot në Paris. Është një hap tjetër konkret pas marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri izraelit Olmert dhe presidenti palestinez Abu Mazen në Anapolis të SHBA-ve. Abu Mazen kërkoi edhe sot ndihma urgjente dhe presion mbi Izraelin që të ndalë planet ekspansioniste për ngulimet hebraike në Territore.

U shty edhe një herë zgjedhja e presidentit në Liban. Parlamenti, që u mblodh sot për të nëntën herë, do të zhvillojë të shtunën një tjetër asamble për zgjedhjen e kreut të shtetit. Po kërkohet një marrëveshje mbi ndryshimin e një neni të Kushtetutës, që do t’i hapte rrugën drejt presidencës gjeneralit Sulejman. Aktualisht, një funksionar nuk mund të zgjidhet si president para se të mbushë dy vjet nga lënia e detyrës. Që prej 23 nëntorit, dita e përfundimit të mandatit të ish-presidentit Emil Lahud, Libani është pa kryetar shteti.

Flet sërish numri dy i Al Kaidës, Al Zavahiri. Në një intervistë, të përhapur nëpërmjet internetit islamik, zëvendësi i Bin Ladenit përsërit se Iraku është fusha më e rëndësishme e betejës për rrjetin terrorist. Ndërkaq, vazhdojnë problemet Irak-Turqi. Qeveria e Bagdadit ka protestuar zyrtarisht kundër sulmeve ajrore turke në zonën e Kurdistanit irakian, me qëllim eliminimin e pozicioneve të Partisë së Punës së Kurdistanit. Operacionet janë mbështetur nga SHBA-të.







All the contents on this site are copyrighted ©.