2007-12-17 17:46:21

Moska: i paligjshëm misioni evropian në Kosovë pa KS të OKB-së


(17.12.2007 RV)Moska prononcohet sot edhe një herë për çështjen e Kosovës, në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, e cila ka bërë publike një notë zyrtare, dhënia e pavarësisë do të krijonte probleme të mëdha, ashtu siç do t’i krijonte edhe mënjanimi i Këshillit të Sigurimit dhe marrja e vendimeve pa të. Nga ana tjetër, përfaqësuesi rus në Trojkën e negociatorëve, Kharçenko ka deklaruar se një mision i mundshëm evropian në Kosovë pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, do të ishte i paligjshëm.
Ndërkaq, qëndrimi evropian shpjegohet sot nga ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema, i cili foli para Komisionit të jashtëm të Dhomës italiane të Deputetëve. Sipas D’Alemës, ruajtja e gjendjes aktuale në Kosovë nuk është një opcion i pranueshëm dhe është jo reale të mendohet se Kosova do të kthehet nën sovranitetin e Serbisë. Gjithashtu, shefi i Farnezinës sqaroi se vendi nuk mund të qëndrojë përjetë nën protektoratin ndërkombëtar. Bashkimi Evropian është gati të dërgojë një mision në Kosovë dhe po përpiqet të administrojë gjendjen duke përcaktuar hapa dhe kontrolle, që situata të mos i shpëtojë nga duart, duke u bërë një faktor destabilizues në rajon.







All the contents on this site are copyrighted ©.