2007-12-17 18:33:32

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: gëzimi i njeriut gjendet në Krishtin që vjen, jo në kënaqësitë pa Zot.


(17.12.2007 RV)RealAudioMP3 “Gëzim i vërtetë është ai që shndërrohet në solidaritet, për dashuri të Zotit, e jo gëzimi i rremë, që kërkohet në parajsat artificiale të kënaqësisë, ku Zoti nuk ekziston”. Janë fjalët e Benediktit XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar pas Meshës së shugurimit të një famullie të re romake. Papa foli kryesisht për kuptimin e gëzimit të krishterë, parë me syrin e Krishtlindjes dhe e përfundoi lutjen mariane me bekimin tradicional të shtatoreve të Foshnjës Hyjnore për Shpellat e Betlehemit të fëmijëve romakë.
Papa foli qartë: ka njerëz që gabojnë rrugë, në sa kremtohet Krishtlindja. Gabon rrugë kush nuk e ndjen gëzimin që sjell Foshnja Hyjnore, por ndjek kënaqësitë që premtojnë ‘parajsa’ të tjera, si droga. Lumturi artificiale, shumë afër dëshpërimit, të cilin përpiqen ta fshehin, por tepër larg paqes së shpirtit. Kjo paqe buron nga vetëdija se Zoti është afër, se po vjen një Fëmijë, që rri gjithnjë pranë njeriut, në gëzim e në dhimbje. I ndërtuar mbi bazën e këtij kontrasti, mendimi i Benediktit XVI u përqëndrua tek fraza e Shën Palit: “Gëzohuni përherë në Zotin!” dhe tek ajo shpresë - siç theksoi Papa – me të cilën të krishterët e presin ardhjen e dytë të Krishtit, sepse e njohin të parën:
“Misteri i Betlehemit na dëfton Hyjin-me–ne, Hyjin që është pranë nesh, e jo thjeshtë në kuptimin hapësinor e as kohor; ai është pranë nesh sepse është martuar - në se mund të shprehemi kështu, me natyrën tonë njerëzore(…) Gëzimi i krishterë buron nga kjo siguri: Hyji është pranë, është me mua, është me ne, në gëzim e në dhimbje, në shëndet e në sëmundje, si mik e dhëndërr besnik. E ky gëzim mbetet edhe në orën e provës, edhe në çastet e vuajtjes, e nuk mbetet në sipërfaqe, por hyn në thellësi të shpirtit të njeriut që i beson Zotit, që e lëshon veten plotësisht në dorë të Tij”.
Më pas Papa bëri një pyetje që sot ia bën shumkush vetes: “Po a mund ta ndjejmë akoma këtë gëzim në kohët tona? Përgjigjen – vërejti Benedikti XVI - na e japin me jetën e tyre, burrat e gratë e moshave e të gjendjeve të ndryshme shoqërore, të cilët ia kushtojnë, gjithë gëzim, vetveten të tjerëve, deri në fund të fundit. E këtu Ati i Shenjtë u ndal tek shembulli i Nënës sonë Terezë:
“E lumja Nënë Tereza e Kalkutës a nuk ishte, në kohët tona, dëshmitare e paharrueshme e gëzimit të vërtetë ungjillor? Jetonte ditë për ditë pranë mjerimit, zvetënimit njerëzor, vdekjes. Shpirti i saj njohu edhe provën e natës së errët të fesë, e megjithatë u dhuroi të gjithëve buzëqeshjen e Hyjit”.
Nënë Tereza ishte dëshmitare e gjallë e faktit se gëzimi, siç e pohoi Papa, hyn në zemrën e njeriut që ia kushton vetveten shërbimit të të vegjëlve e të të varfërve”. Ndërsa kush e bën lumturinë idhull, gabon rrugë dhe e ka vërtetë vështirë ta gjejë gëzimin për të cilin flet Jezusi:
“Ky, për fat të keq, është propozimi i kulturave që e venë lumturinë vetjake në vend të Zotit, mendësi që gjen shprehjen e vet në kërkimin e kënaqësinë me çdo kusht, në përhapjen e drogave, si arratisje nga realittei e kërkim i parajsave artificiale, të cilat lënë pas vetëm zhgënjim”.
Edhe për Krishtlindje – tha në përfundim Ati i Shenjtë – mund të merret gabimisht si festë e vërtetë, ajo që nuk ia hap zemrën Krishtit. Virgjëra Mari – uroi Benedikti XVI – i ndihmoftë gjithë të krishterët e dhe njerëzit në kërkim të Zotit, të arrijnë deri në Betlehem, për të takuar Foshnjën që lindi për ne, për shëlbimin e lumturinë e të gjithë njerëzve.Në përfundim të lutjes mariane, Sheshi i Shën Pjetrit u tund nga brohoritjet e fëmijëve, që kishin ardhur për t’i kërkuar Papës t’u bekonte Shtatoret e Krishtit për Shpellat e tyre të Betlehemit. E Papa iu përgjigj kështu:
“Fort të dashur, ju uroj përzemërisht për shumë vjet Krishtlindjen, ju e familjarëve tuaj. E ndërsa falënderoj Qendrën e Oratoreve Romake që organizon këtë nismë, i nxit meshtarët, prindërit e katekistët të bashkëpunojnë me entuziazëm për edukimin e krishterë të të vegjëlve”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.