2007-12-17 18:34:08

Ati i Shenjtë postulatorëve: bota e sotme ka nevojë për figurat e Shenjtorëve, që ngjallin tek njeriu gëzimin e dëshirën të ecë në gjurmët tyre.


(17.12.2007 RV)Shenjtorët lindin shenjtorë e shenjtëria mbjell gëzim e shpresë, në një botë të etur për gëzim e shpresë. Kështu reflektoi Benedikti XVI, si u njoh me punën e postulatorëve të Çështjeve të lumnimit, të cilët i priti sot paradite në një audiencë, që u quajt ‘e posaçme’ nga kardinali Zhozè Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës që punon për zgjedhjen e kandidatëve të denjë të ngrihen në nderimin më të lartë, atë të elterit.Kujtojmë se 25 vjet më parë, me Kushtetutën apostolike ‘Divinus perfectionis Magister’, Gjon Pali II reformoi procedurat, që sot çojnë në njohjen e virtyteve, dmth në lumnimin ose në shenjtërimin e një dëshmitari të Ungjillit. Procedurat kanë të bëjnë me kërkimin e dokumenteve e të dëshmive, që vërtetojnë se kandidatët jetuan e vdiqën si shenjtorë, duke dhuruar nganjëherë edhe gjakun për Krishtin e për Kishën e tij. Pikërisht këtë 25-vjetor përkujtoi sot Benedikti XVI, duke pritur Kolegjin e postulatorëve, me të cilët reflektoi për shenjtërinë si dhe për rritjen e vazhdueshme të interesimit fetar e kulturor për kampionët e shenjtërisë së krishterë, të cilët i propozohen besimtarëve si shembuj që meritojnë të ndiqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.