2007-12-16 13:04:07

Udhës së Betlehemit.


(16.12.2007 RV)RealAudioMP3 Të dashur miq, po vijojmë rubrikën ‘Udhës së Betlehemit’, e cila na çon simbolikisht te Shpella ku lindi Krishti, në sa tashmë i japin dorën e fundit përgatitjeve per festë në shtëpitë tona, në viset shqiptare ose nëpër botë, por gjithnjë duke ndjekur traditat tona kombëtare. Prandaj emisionin e sotëm po ia kushtojmë traditës shqiptare të Shpellës së Betlemhemit.
Duke nisur nga Italia, tradita e Shpellës së Betlehemit, ku më shpejt e ku më vonë, u përhap në mbarë botën katolike. Natyrisht do të kalonin shekuj, para se të arrinte edhe në Shqipëri. E kur do të arrinte, do ta gjente vendin të pushtuar nga turqit; qytetetet të islamizuara, katolikët, të tërhequr në maja malesh, ku shpirtit të tyre të trazuar i shërbenin vetëm fretërit françeskanë, që nuk u larguan kurrë nga vendi, ndërsa urdhërat tjerë ishin tërhequr pas sulmit të egër osman për ta shrrënjosur fenë katolike nga trojet shqiptare.
A mund të flitej për ndërtimin e Shpellave të Betlehemit, në sa vetë njerëzit jetonin ndër shpella e aty, në grazhde të vërteta, nxirnin në dritë foshnjat e tyre? E a njihej ndopak Shpella simbolike e Betlehemit, që vijonte të ndërtohej çdo vit në mjediset e ndryshme të viseve katolike? Sigurisht njihej, përderisa ata që u shërbenin shpirtërisht shqiptarëve katolikë ishin vëllezër të Shën Françeskut, autorit të Betlehemit të parë të gjallë. Këtë e tregon më së miri fakti se drama e parë në gjuhën shqipe, shkruar nga një françeskan në kushtet e pushtimit turk, e pikërisht nga Atë Leonardo de Martino, titullohet “Barinjtë e Betlemit” dhe zhvillohet në mjediset e me personazhet e Shpellës tradicionale, ku lindi Krishti. Pati nisur kështu edhe në viset shqiptare me popullsi katolike, gara për të bërë Shpella Betlehemi sa më të mëdha, sa më të bukura si dhe zakoni për të vizituar krijimet e njëri-tjetrit. Madje në shkollat fetare, në mësimin e vizatimit, secili nxënës, në prag të Krishlindjes, realizonte Shpellën e vet origjinale të Betlehemit.
Në se Shpellat e para të Betlehemit u ngritën nga françeskanët, kryesisht ndër kishat e tyre të varfëra, në popull u përhapën falë artit të një jezuiti, kujtimi i të cilit është i gjallë edhe sot e kësaj dite. Ishte Fratel Sala, artist jezuit, që nisi të bënte me karton e allçi shtatoret e para të personazheve të Betlehemit, të cilat shumë familje shqiptare i vendosin edhe sot në Shpellat e tyre shtëpijake të Betlehemit. Në shumicën e rasteve janë të gjymtuara, sepse familjet shqiptare u detyruan t’i fshihnin gjatë diktaturës, për t’i nxjerrë vetëm për Krishtlindje, kur ndërtonin Shpellat klandestine të Betlehemit e i luteshin me lot për faqe Foshnjës Hyjnore të vinte rishtas dita kur do të mund t’i vendosnin Shpellat e tyre në vendin më të nderuar të shtëpisë. Me rikthimin e Krishtit ndërmjet shqiptarëve, tradita e bukur rifilloi: Nisi me Betleheme që i ngjisnin atij të Greçios, me Meshë të kremtuara nën qiellin e hapur të mesnatës, me barinj, baresha e qëngja të gjallë. Ndërsa tashti në Kishat kryesore ngrihet rishtas Shpella e Betlehemit, me shtatore të reja, realizuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë, në popull kjo traditë sapo ka rifilluar. Madje vitet e fundit, kryesisht në Shkodër, po pasurohet edhe me Shpella Betlehemi ku lëvizin figura të gjalla, si në Shpellën e lashtë të Greçios.








All the contents on this site are copyrighted ©.